Gazetari Arsen Rusta zbardhi detaje nga operacioni i SPAK në disa qytete të vendit, ku janë arrestuar biznesmenë, policë dhe prokurori i Kukësit. Burime për MCN Live bëjnë me dije se provat kryesore kanë qenë komunikimet sekrete në aplikacionin “Sky” të çkoduara nga Prokuroria belge. “Është një hetim i ndjekur prej gati 12 muajsh nga ish-drejtuesi SPAK Arben Kraja dhe drejtuesi aktual Altin Dumani, të cilët kanë kërkuar arrestimin e 12 personave në kuadër të një akuze për grup të strukturuar kriminal, korrupsion pasiv e aktiv të zyrtarëve të lartë, shpërdorim detyre. Ndër personazhet e arrestuar deri më tani, bëhet fjalë për Pëllumb Gjoka, biznesmen, Oltian Bistri, ish-kreu i Forcës Operacionale, aktualisht drejtori i Krimeve të Rënda, Xhevair Lita, ish-drejtues i Prokurorurisë së Kukësit, aktualisht prokuror në Kukës, Ardit Hasanbega, po ashtu zyrtar policie, Astmer Bilali, ish-boksierin që prej disa kohe ka qenë personazh i hetimeve, ka shlyer edhe dënim. Behar Bajri është shpallur në kërkim. 5 masa sigurie janë ezauruar dhe për 7 të tjerat po punohet. Burime për MCN Live bëjnë me dije se ka qenë pala belge që ka sjellë një raport, pas sekuestrimit dhe çkodimit të serverit të komunikimeve ‘Sky’ ku rezultuan disa zyrtarë të lartë policie që kishin komunikime me grupet kriminale. Ky është një hetim ekskluziv i SPAK, policia s’ka pasur asnjë lloj hetimi. Provat kryesore janë ato të komunikimeve sekrete në aplikacionin ‘Sky’, derisa komunikimet u çkoduan nga Prokuroria belge. SPAK thotë që ka dokumentuar korrupsionin”, tha Rusta.



