
Në memorialin “Nëna Shqipëri” në Tiranë janë zhvilluar homazhe në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.
Krerët më të lartë të shtetit shqiptar bënë sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.
Të pranishëm në këto homazhe ishin Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të luftës.
Ata vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit.
Në ceremonialin shtetëror të organizuar pranë Monumenti “Nënë Shqipëri”, kryeministri Rama vendosi një kurorë me lule dhe u përkul me respekt të thellë, në emër të ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerësimit të përhershëm të sakrificës sublime të dëshmorëve, si themel i identitetit kombëtar dhe i së ardhmes evropiane të vendit.
5 Maji e ka origjinën në 5 maj të vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili, me veprimtarinë e tij, u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të të rënëve për lirinë e vendit, çdo vit në “Varrezat e Dëshmorëve” zhvillohen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.



