
Anëtari i Komisionit Rregullator, Dritan Çaka, për paralajmërimin e kreut të KQZ, që vota për diasporën duhet miratuar brenda muajit janar, thotë se një ditë më parë komisioneri shtetëror bëri një deklaratë të fortë sa i përket politikës, pasi jemi në një afat shumë të ngushtë kohor.
Në një lidhje për MCN Live, Çaka deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat fundor muajin janar që të bëhet plotësimi i Kodit Zgjedhor për të mundësuar votën e emigrantëve brenda muajit janar.
Jemi brenda një vendimi detyrues i cili nuk mund të negociohet, por të zbatohet.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur qartë se Kodi Zgjedhor ka mangësi për votën e emigrantëve në vitin 2025 dhe ka kërkuar që Kuvendi të bëjë mundësimin e tij, në mënyrë që të nxirren aktet nënligjore për të mundësuar këtë të drejtë kushtetuese që kanë qytetarët.
Është më shumë çështje e vullnetit politik se që të bëhen ndryshime të Kodit Zgjedhor, duhet të kalojë përmes Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe nëse palët nuk do gjejnë gjuhën e përbashkët, është e vështirë që të kalohet në Kuvend.
Nëse nuk bëhen këto ndryshime është e pamundur që të bëhet vota e emigrantëve në vitin 2025.
Mendoj se çështjet teknike përfaqësojnë dhe vullnetin politik të palëve dhe me sa shoh është e vështirë që të gjendet në këtë moment një unison, të paktën nga ajo që është deklaruar nga palët në media.
Ka disa variante se ku do të vlerësohet vota e emigrantit, në cilën zonë zgjedhore.
Një variant është që aty ku është banor qytetari që është jashtë territorit shqiptar, aty do vlerësohet vota.
Varianti i dytë është që të krijohet zona e 13-të zgjedhore. Varianti i tretë është që të gjitha votat e emigrantëve mund të mblidhen në një zonë zgjedhore, për shembull në Tiranë.
Këto janë propozimet e hedhura. Do përcaktohet si do bëhet votimi.
Një propozim është votimi me postë, i dyti votimi elektronik dhe i treti votimi fizik në përfaqësitë diplomatike.
Por dhe këtu kemi mospërputhje të qëndrimeve nga përfaqësuesit politik në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Besoj se këto janë dy pikat kryesore që krijojnë dhe ngërçin politik për të pasur një implementim të votës së emigrantëve në vitin 2025.



