
Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Velagosht, që ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Kjo pasi rrugë që të çon në fshat është e paasfaltuar dhe gjithë baltë, ndonëse bëhet fjalë për një fshat prodhues, që ka mbi 150 mijë deri në 200 mijë rrënjë ullinj. Banorët thonë se asnjëherë s’kanë gjetur një derë të hapur në bashki dhe ndihen të persekutuar.
Një nga banorët shprehet: “Kam prej 70 vjetësh që e ëndërroj një rrugë. Kam ikur në Kuçovë që në vitin 1990, për rrugë dhe ujë. E lashë këtë fshat kaq të bukur. Këta njerëz kaq të ndershëm, punëtorë, por edhe të persekutuar! Jemi i vetmi fshat në rrethin e Kuçovës që s’kemi rrugë. Edhe kur shkojmë në bashki për të bërë ndonjë protestë, as na del kryetari. Ishim 50 banorë në protestë me 100 policë!”
Kryeplaku i fshatit Velagosht thotë: “Kemi bërë disa protesta. Jemi fshati më i largët dhe më i vështirë në Kuçovë. Këtu janë njerëzit më punëtorë dhe më të urtë. Pse të nënvlerësohemi kaq?! Kemi jetuar me shpresë që do bëhet rruga sivjet, do bëhet mot, por tani duket se shpresat tona po mbarojnë. Po trembem se rruga nuk do bëhet më. Janë 2 kilometra rrugë”.
Banorët e fshatit paralajmërojnë bojkotin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
“Kemi hedhur miliona lekë për shtëpitë. Qeveria s’na ka ndihmuar fare. Ne do bojkotojmë zgjedhjet, nuk do votojmë asnjë. Jam për bojkot”.



