
Më pak se një orë na ndan nga nisja e finales së “Eurovision Song Contest 2021”. Festivali më i madh i këngës në kontinentin europian, do të transmetohet direkt nga skena e “Rotterdam Ahoy”, në Holandë, në orën 21:00.
Garën do ta hapë Qipro dhe menjëherë më pas, do të performojë këngëtarja shqiptare, Anxhela Peristeri. Ajo përfaqësor këtë vit Shqipërinë me këngën “Karma”, ndërsa ndodhet mes 26 konkurentëve për të prekur çmimin e madh.
Në faqen zyrtare të “Eurosong” janë publikuar disa sondazhe nga artistë të ndryshëm, si dhe poll-et nga publiku. Brian Malouf, një nga producentët më të njohur amerikanë, që ka punuar me Michael Jackson, Madonna-n, Selena Gomez, Miley Cyrus dhe artistë të tjerë me famë botërore ka dëgjuar të gjithë finalistët dhe ka dhënë vlerësimin e tij profesional. TOP 10-shen e tij e kryeson Shqipëria.
“Kënga është përrallore, produksioni është përrallor, e dua! Do të më pëlqente ta dëgjoja në një duet me Andrea Bocellin. Një vokal i shkëlqyer, produksion i shkëlqyer dhe një këngë shumë e mirë!”, shkruan Malouf për “Karma-n”.
Ndërkohë, të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë mund të votojnë sonte, në numrin e shtetit ku ndodhen, me kodin 02, në momentin që fillon votimi, i cili do të njoftohet gjatë spektaklit dhe numrat e telefonave do t’ju shfaqen në ekran! Nga një telefon mund të votohet deri në 20 herë.



