Në konferencën e parë për shtyp me kryeministren britanike, Theresa May, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka folur edhe për sanksionet e vendosuara ndaj Rusis.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi në një konferencë për gazetarët, se është shumë herët të diskutohet mundësia e heqjes së sanksioneve kundër Rusisë, por shtoi se shpreson të ketë “marrëdhënie të mira me Rusinë”.
Pas takimit, presidenti Trump nuk ngurroi të shprehë qëndrimin e tij për Brexit, duke u shprehur se “kjo do të jetë një gjë e mirë për Britaninë e Madhe”.
May është udhëheqësja e parë botërore që takoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, pas inaugurimit të tij, javën e kaluar.
Në fjalën e saj, kryeministrja britanike theksoi se sanksionet ndaj Rusisë nuk duhet të hiqen. Duke u ndalur tek marrëveshjet tregtare SHBA- Britani, ajo tha se kjo është një fushë me interes.
May ka konfirmuar se gjatë takimit presidenti Trump i ka thënë asaj se përkrahë fuqishëm aleancën e NATO-s.
Nga ana tjetër presidenti Trump u përgjigj se “Sa u përket sanksioneve, është shumë herët të flitet për to”.
Më herët, këshilltarja e lartë Trumpit, Kellyanne Conway, tha për Fox News se heqja e sanksioneve amerikane kundër Rusisë është “në konsiderim e sipër”.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar Rusinë, pasi kjo e fundit ka aneksuar gadishillin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe ka ndërhyrë në konfliktin në lindje të Ukrainës, midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump do të bisedojë përmes telefonit me presidentin rus, Vladimir Putin, më 28 janar.
