Rënia e vazhdueshme e euros përballë lekut në tregun shqiptar nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e turizmit dhe hyrjet valutore nga ky sektor. Kështu u shpreh gazetari Klodian Tomorri, i cili ngriti pikëpyetje mbi faktorë të tjerë që, sipas tij, mund të kenë ndikuar në forcimin e lekut dhe dobësimin e monedhës europiane.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Tomorri tha se turizmi është një faktor real në ekonominë shqiptare, por përmasat dhe kohëzgjatja e zhvlerësimit të euros kërkojnë një analizë më të gjerë.
E para nuk mund të mohohet se ka më shumë turizëm dhe ka më shumë të ardhura nga turizmi dhe te kjo kapet dhe qeveria duke thënë se leku na vjen nga turizmi, por ka një problem, kemi të bëjmë me dy monedha: njëra është euro, e cila këmbehet kudo në çdo cep të globit, dhe kemi një monedhë tjetër që është leku, që përveç Shqipërisë askund tjetër nuk e blen dhe nuk e shet njeri. Pra kemi dy monedha: një që është globale dhe një tjetër që ka vlerë vetëm tek ne.
Sipas tij, edhe faktorë të tjerë ekonomikë nuk mbështesin plotësisht argumentin se turizmi është arsyeja kryesore e këtij trendi.
Elementi i dytë është që ekonomia e Bashkimit Europian ka inflacion më të ulët se Shqipëria dhe ka norma më të ulëta interesi se Shqipëria. Këta dy faktorë duhet të punonin në favor të euros që ajo të ishte më e fortë ndaj lekut, por as kjo nuk ndodh.
Tomorri theksoi se dobësimi i euros nuk është një fenomen i ri, por një tendencë që vijon prej vitesh dhe sipas tij nuk mund të justifikohet vetëm nga zhvillimet normale të ekonomisë.
Bëhet fjalë për një kohë të gjatë. Ky trend i dobësimit të euros ka nisur dikur nga viti 2017 dhe tendenca është vetëm në një krah: euro që dobësohet vazhdimisht ndaj lekut. Pra, duke i marrë të mirëqena të ardhurat nga turizmi, pyetja është: a mund të justifikojë kjo një dobësim të euros në këto përmasa? Monedha e dytë më e fortë e botës përplaset në këtë mënyrë me një monedhë që nuk tregtohet askund përveç Shqipërisë.
Gazetari shtoi se një lëvizje kaq e gjatë dhe e njëanshme e kursit të këmbimit krijon dyshime se përveç faktorëve ekonomikë mund të ketë edhe elementë të tjerë që ndikojnë në treg.
Kur një monedhë dobësohet ndaj një monedhe tjetër, pas një kohe ekonomia nis të punojë në ciklin e kundërt, pra fillon përmbysja. Vetëm fakti që kjo po zgjat kaq gjatë dhe dobësimi po shkon gjithmonë në një drejtim, të bën të dyshosh se këtu ka diçka tjetër, përveç zhvillimeve normale ekonomike.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për hyrje të mundshme të parave jashtë kanaleve formale, të cilat sipas tij mund të ndikojnë në rritjen e ofertës së euros në treg.
Ky debat bëhet sepse ka një fluks tjetër që nuk hyn te kanalet formale dhe që përmbyt tregun në mënyrë të tillë që rrit ofertën e euros dhe ul çmimin e saj në raport me lekun. Tani çfarë kemi parë ne nga dosjet e SPAK? 600 e ca milionë euro dhe sa të tjera të pakapura. Ne kemi një sinjal që na thotë se ka një lloj paraje që është në përmasa të mëdha që hyjnë nga trafiku i drogës në Shqipëri. Sa është kjo hyrje, këtë nuk e thotë dot askush, por nga ato që shohim ne e dimë që ka një sasi.



