Parisi do t’i kushtojë një urë këmbësorësh në qendër të qytetit ikonës së rock-ut Jim Morrison, protagonistit të skenës së muzikës të viteve 1960.
Varri i këngëtarit të The Doors, brenda varrezave Pere-Lachaise, është kthyer tashmë në një magnet për fansat nostalgjikë të rock-ut, të cilët bëjnë nderimet e tyre çdo ditë në numër të shumtë, sa që varrezave u është dashur të ngrenë barriera rreth varrit të këngëtarit amerikan.
Morrison i cili u transferua në kryeqytetin francez disa muaj para vdekjes së tij, në korrik 1971 e bëri Parisin vendin e frymëzimeve të tij të fundit, kujton Laurence Patrice, sponsor i nismës.
Vendkalimi përshkon një pellg pranë Bastiljes në qendër të kryeqytetit, pranë distriktit bohem Marais, ku Morrison jetoi në ditët e tij të fundit.
The Doors, të themeluar në Los Anxhelos në vitin 1965, ishin një nga grupet më me ndikim rock-ut të fundit të viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1970 dhe një shtyllë e kundërkulturës së epokës.
Ndër hitet kryesore të grupit ishin “Riders on the Storm”, “Light My Fire” dhe “The End”, një këngë që u shfaq në filmin e Francis Ford Coppola të vitit 1979, “Apocalypse Now”.
Karizma dhe performancat magnetike të Morrison e bënë një seks simbol, ndërsa ra në sy dhe sjellja e tij provokuese dhe abuzimi me substancat.
Rrethanat e sakta të vdekjes së Morrison në moshën 27-vjeçare mbeten të mbuluara me mister. Teoria më e pranuar është se ai vdiq nga arresti kardiak në vaskën e tij.
Megjithatë, një gazetar francez, Sam Bernett, pohoi në një libër të vitit 2007 se miqtë dhe familja ndryshuan versionin zyrtar të vdekjes së Morrison për të pastruar reputacionin e tij.
Sipas Bernett, Morrison vdiq nga një mbidozë heroine në banjën e një klubi nate, “Rock n’Roll Circus”, në Paris.



