
Pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha se kryesia e PD-së do të mblidhet më 18 dhjetor dhe jo më 11 dhjetor, datën e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ky i fundit në një deklaratë për mediat theksoi se data e mbledhjes do të jetë 11 pasi kjo është përcaktuar nga vetë demokratët.
“Prej disa ditësh u dorëzuan në selinë e PD 4200 firma të delegatëve të Kuvendit të PD, të grave dhe burrave, djemve dhe vajzave vizionar të kësaj partie, të cilët konstatojnë se në Shqipëri PD është shndërruar në një fasadë të pushtetit, të cilët konstatojnë se rikthimi i kësaj partie si një forcë opozitare është jetike.
Përpjekjet për ta ndalur këtë vullkan janë sa qesharake dhe të turpshme. Peng kryetari i PD mbledh Kryesinë false të kësaj partie që në masën 60% e saj është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, jo me votën e fshehtë të Këshillit Kombëtar, emëruar nga peng kryetari siç donte ai, dhe njofton nga peng kryetari datën që i jep pengu i tij Edi Rama, për Kuvendin e PD, 18 dhjetorit. Bashës i them që me 11 Dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD-së.”



