Lëvizja Socialiste për Integrim shpreson të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit. Kjo ishte kryefjala e komunikimit të kreut të LSI-së, Petrit Vasili, me mediat, sot paradite.
Vasili u përpoq të shmangte komentet për marrëveshjen Rama-Basha, duke theksuar se prioriteti numër një për LSI-në mbetet të dalë forcë e parë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Kreu i LSI-së tha se forca e tij politike është e kënaqur me faktin se në garën zgjedhore futet edhe opozita, pasi kjo i jep legjitimitet të plotë procesit.
Pjesë nga fjala e Vasilit
LSI forcë e parë pasi është forcë konstruktive, me integritet, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Janë këto cilësi që motivojnë mijëra të rinj, burra e gra që e vlerësojnë konstruktivitetin dhe pozitivitetin e LSI.
Ne na vjen keq që u është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në koalicione disa partive. LSI nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë gjë. Ne nuk na cenon kjo gjë, por kemi mbështetur krijimin e hapësirave për përfaqësim sa më të gjerë. Gara është përpara dhe sot ajo mua dhe çdo anëtar të LSI na motivon për të garuar për të qenë forcë e parë në këtë vend. Kjo do ta bëjë politikën konstruktive dhe do t’i ndihmojë shqiptarët ta ndërtojnë këtu të ardhmen.
A do jeni të tria (PS-PD-LSI) në qeveri?
Ne sot kemi një marrëveshje që ka mundësuar një garë elektorale të barabartë dhe ka siguruar legjitimitet institucionesh. Të gjithë elementët e tjerë jnë të parëndësishëm. Ajo që ne insistuam u realizua.
A do të ketë një qeverisje PD-PS?
Jemi në një situatë më të qartë. Kemi datë zgjedhjesh. Kemi qetësi publike më të lartë. Kemi realizuar një objektiv. Stabilitetit i kemi bërë një shërbim shumë të madh. Ne ofruam sakrificën, deri edhe te rikthimi i postit të presidentit. Marrëveshja është kryer dhe ne na ndan vetëm një hap nga dalja forcë e parë.
A është cenuar marrëveshja PS-LSI?
Na ndajnë 37 ditë nga zgjedhjet. E rëndësishme është të bindim qytetarët që ta bëjnë LSI forcë të parë, që ky vend të ecë më shumë. Të gjitha të tjerat kanë rënë, ne vetëm këtë objektiv kemi.
Nëse fitoni, me kë bashkëqeverisni?
Objektivi ynë të jemi forcë e parë. Të gjitha të tjerat pasi ta arrijmë atë.



