Kandidati i ekstremit të djathtë për presidencën franceze, Eric Zemmour, thotë se ukrainasve me lidhje familjare me Francën duhet t'u jepen viza, ndryshe nga ata që ikin nga konfliktet në vendet arabe muslimane. Zemmour tha pak ditë më parë se një "përgjigje emocionale" rrezikon t’i hapë rrugën një vërshimi refugjatësh në të gjithë Evropën pasi Bashkimi Evropian ra dakord t'u jepte ukrainasve që ikin nga lufta të drejtën për të qëndruar dhe punuar në bllokun 27-vendesh deri në tre vjet.
Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 2 milionë ukrainas janë larguar tashmë nga vendi. Zemmour përshëndeti qasjen më të rreptë të Britanisë. Britania refuzoi në fillim të javës thirrjet për të lehtësuar kërkesat për viza për refugjatët ukrainas.
“Nëse ata kanë lidhje me Francën, nëse kanë familje në Francë, le t'u japim viza”, tha Zemmour për BFM TV.
Shkrimtari dhe polemisti, i cili është kritikuar shpesh për nxitje të urrejtjes racore, tha se ishte e pranueshme që të kishte rregulla të ndryshme për azilkërkuesit e mundshëm nga Evropa dhe ata nga vendet arabe myslimane.
Zemmour e përshkruan Francën si një komb dikur të madh, tani në rënie, qytetërimi i saj i krishterë i zbrazur nga ndikimi në rritje i Islamit dhe imigrimit.
Është një çështje asimilimi," tha Zemmour. "Ka njerëz që janë si ne dhe njerëz që nuk na ngjajnë. Të gjithë tani e kuptojnë se emigrantët arabë ose myslimanë janë shumë të ndryshëm nga ne dhe se është gjithnjë e më e vështirë t'i integrosh ata.



