Policia e Shtetit ka gjetur një motor të djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët që qëlluan me armë zjarri në Lundër ndaj një automjeti ku ndodheshin 4 të rinj.
Katër personat e plagosur janë Arens Stafa 34 vjeç, Kian Mullaj 19 vjeç dhe dy të mitur të moshave 11 dhe 17 vjeç ishin kthyer nga Durrësi me një automjet tip "G class".

Në njoftimin e Policisë thuhet:
"Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje".
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.



