
Shumica e njerëzve kanë njohuri për jetën e mbretëreshës Elizabeth, por shumë pak dinë për “misterin më të madh të pazgjidhur” gjatë mbretërimit të saj, një atentat në periferi të Sidneit 50 vite më parë.
Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Philip po udhëtonin nga Sidnei në Orange si pjesë e turneut të tyre në Australi në vitin 1970 kur ranë viktimë e “komplotit Lithgow”.
Çifti mbretëror po kalonin malet Blu me tren më 29 prill 1970, kur treni ndaloi në gjysmë të rrugës. Mbretëresha Elizabeth dhe princi Philip nuk e dinin asokohe, por ata i kishin shpëtuar për pak vdekjes falë ritmit të ngadaltë të trenit.
Ish-inspektori Cliff McHardy tha se vrasësit e mundshëm kishin vendosur një trung të madh përgjatë shinave të trenit ku do të kalonte çifti mbretëror, duke shpresuar që lokomotiva të dilte nga shinat.
Fatmirësisht, mashinisti kishte arritur të frenonte në kohë trenin që lëvizte ngadalë, duke bërë që treni të “rrëshqiste” gati 700 metra para se të ndalonte në një vendkalim. Treni, fatmirësisht, mbeti në binarë dhe nuk pësoi dëmtime të shumta.
Një tren sigurie që kishte kaluar nëpër zonë një orë përpara çiftit mbretëror nuk kishte konstatuar asnjë trung përgjatë shinave.
Nëse treni do të kishte pasur shpejtësinë e tij normale, do të dilte nga shinat dhe do të kishte rënë në një argjinaturë. Hetimet ia kanë treguar se trungu ishte vendosur qëllimisht në shina.
Kështu tha inspektor McHardy për Daily Mail në vitin 2009. Për shkak të kohës së komplotit, dyshohet se atentati ndaj mbretëreshës Elizabeth ishte planifikuar me ndihmën e personave të brendshëm.
Pse nuk u bë i ditur atentati? Ish-inspektori shprehet se e gjithë tentativa për vrasje ishte fshehur si nga publiku ashtu edhe nga familja mbretërore për gati 40 vjet për të shmangur turpërimin e qeverisë australiane.
McHardy, i cili ishte oficeri hetues i rastit, tha se ai vendosi të zbulonte të vërtetën për të ndihmuar në zgjidhjen e “misterit më të madh të pazgjidhur të karrierës sime”.
Ish-detektivi tha se mbulimi i atentatit ndaj mbretëreshës Elizabeth dhe princit Philip do të thoshte se policia nuk do të ishte kurrë në gjendje të zbulonte kriminelët.
Asnjëherë nuk arritëm të gjenim ndonjë të dyshuar, sepse nëse do të merrnim në pyetje dikë, do të dukej sikur po flisnim me gjëegjëza. Ne nuk mund të zbulonim se për çfarë ishte hetimi ynë.



