‘Situata në Madrid është shumë shqetësuese,’-kështu shprehet kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez në një intervistë për mediat e tij, duke lënë të kuptohet se pandemia ka dalë jashtë kontrollit.
Për ‘Radio Ser’ kryeministri konkretisht deklaroi: "Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e shëndetit publik dhe evolucionin e virusit në Madrid". Më tej Sanchez hoqi disi përgjegjësinë nga vetja duke deklaruar se "disa" qeveri rajonale duhet të rrisin aftësinë e tyre për të gjetur rastet e koronavirusit dhe "aftësitë e tyre strategjike" në luftë kundër Covid-19.
Një vendim i qeverisë javën e kaluar bëri të mundur vendosjen e 2 mijë ushtarëve në dispozicion të qeverive rajonale, përgjegjëse për kujdesin shëndetësor, në gjurmimin e njerëzve të ekspozuar ndaj infeksionit.
Nga e premtja e deri të hënën raportohen shifra mjaft të frikshme në Spanjë, pasi 23 mijë vetë janë prekur rishtazi nga koronavirusi, njoftoi dje në një konferencë shtypi shefi i emergjencës shëndetësore Fernando Simon. Shifrat e regjistruara e kanë rritur numrin e përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi, që prej fillimit të pandemisë, në 462,858.
Në 7 ditët e fundit në Spanjë raportohet gjithashtu të kenë vdekur 141 persona, gjysma prej tyre në kryeqytetin Madrid.



