Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini deklaroi për “FactCheck” se rruga në zonën e “Astirit” ku ndodhi aksidenti me pasojë vdekjen e 62-vjeçarit Petraq Galloshi disa ditë më parë është e pajisur me sinjalistikën e duhur megjithëse duke pasur parasysh popullsinë e dendur mund të merret parasysh shtimi i mbikalimeve për të lehtësuar lëvizjet e qytetarëve.
Sipas Qibinit ka një pakujdesi dhe neglizhencë të madhe nga e qytetarëve të cilët në përpjekje për të shkurtuar kohën e tyre, lëndojnë veten dhe njerëz të tjerë.
Kemi vëzhguar dhe videon. Kemi të bëjmë me një rrugë urbane kryesore, shpejtësia e lëvizjes është 80 km në orë. Është e plotësuar me sinjalistikë, por kemi të bëjmë me një ndërprerje të rrugës në mënyrë të befasishme nga këmbësori i cili ka kaluar nga njëra anë e rrugës në krahun tjetër duke kapërcyer trafikndarësen. Sipas neneve të kodit rrugor përcaktohet mirë se ku duhet të qarkullojnë këmbësorët, atje ku ka vija të bardha, mbikalime apo nënkalime. Është e ndalur prezenca e këmbësoreve në këtë aks. Kemi një tabelë. Duke pasur parasysh dhe shpejtësinë e mjeteve koha është e pamjaftueshme për të mos realizuar kontaktin mes veturës dhe këmbësorit.
Janë të mjaftueshme mbikalimet dhe nënkalimet, por duke parë popullsinë në zonë mund të shtohen mbikalimet që të lehtësohet lëvizja e këmbësorëve. Duke iu referuar infrastrukturës së mëparshme ishte e mundur të kaloje, por tani me ndryshimin e infrastrukturës...
Nuk lejohet që qytetarët të kalojnë këtë segment të kapërcejnë trafik ndarësen.
Distancat e mbikalimeve apo nën kalimet duhet të jenë çdo 200-300 metra që të lehtësohet lëvizja e këmbësorëve. Meqenëse është popullsia e dendur mund të shihet mundësia e mbikalimeve të tjera. Këto janë të mjaftueshme për të kaluar, kemi infrastrukturë që i përgjigjet kërkesave të kodit rrugor, por kemi pakujdesi të qytetarëve, nuk kemi njerëz të formuar me edukatën rrugore. Për shkak të neglizhencës disa qytetarë për të shkurtuar rrugën bëjnë veprime të papërgjegjshme dhe në kundërshtim të kodit rrugor duke sjellë pasoja për jetën e tyre dhe të tjerëve.
Prindërit duhet të ndikojnë tek edukata rrugore tek fëmijët.



