
Banda e hakerave BlackCat, e njohur si e para që përdori programin ransomware të shkruar në gjuhën e programimit Rust, ka komprometuar të paktën 60 organizata në mbarë botën që nga marsi i vitit 2022, thotë Byroja Federale e Hetimit (FBI), duke ngritur një alarm të ri. Ransomware është një lloj softueri i krijuar për të bllokuar aksesin në një sistem kompjuterik derisa të paguhet një shumë parash.
BlackCat, i cili gjithashtu njihet si ALPHV, është një bandë relativisht e re ransomware, një shërbim që studiuesit e sigurisë besojnë se është e lidhur me bandën e ransomware BlackMatter (aka Darkside) që goditi majin e kaluar shpërndarësin e karburantit në SHBA, Colonial Pipeline.
BlackCat u shfaq në nëntor 2021 dhe u krijua nga ekspertë të ashtuquajtur “access brokers”, që kanë shitur akses në grupe të shumta RaaS, përfshirë BlackMatter, sipas studiuesve.
Siç raportoi ZFNet në shkurt, BlackCat ka goditur disa kompani të profilit të lartë që nga dhjetori, duke përfshirë shërbimin zviceran të menaxhimit të aeroportit Swissport dhe dy furnizues gjermanë të naftës.
Ndërsa shumica e përpjekjeve të grupit janë përqendruar në goditjen e disa firmave evropiane të infrastrukturës kritike, Cisco vëren në një raport të marsit se më shumë se 30% e sulmeve të BlackCat kanë synuar firmat amerikane.
Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës po u kërkon organizatave të rishikojnë alarmet e dhëna nga FBI.
"Që nga marsi 2022, ransomware BlackCat/ALPHV si shërbim (RaaS) kishte komprometuar të paktën 60 entitete në mbarë botën dhe është grupi i parë i ransomware që e bën këtë me sukses duke përdorur Rust, i konsideruar si një gjuhë programimi më e sigurt që ofron performancë të përmirësuar dhe të besueshme”, thotë FBI.
FBI po kërkon informacion nga publiku në lidhje me sulmet e BlackCat. Ajo dëshiron "çdo informacion që mund të ndahet, përfshirë regjistrat e IP-ve, adresat e Bitcoin ose Monero dhe ID-të e transaksioneve, komunikimet me aktorët e kërcënimit, skedarin e dekriptuesit ose një mostër të mirë të një skedari të koduar”.



