Në qytetin lindor Afganistan, Herat, nxënësit e shkollës së mesme me në krye 18-vjeçaren Somaya Faruqi po punojnë për realizimin e një ventilatori me kosto të ulët, të krijuar nga 18-vjeçarja dhe gjashtë moshataret e saj.
Ekipi gjithëpërfshirës i shkencëtarëve të rinj afganë të njohur si “Afghan Robotics Team”, të cilët kanë fituar çmime ndërkombëtare për robotët e krijuar, në mars ndërsa pandemia e koronavirusit goditi kombin e shkatërruar nga lufta, filluan punën për një ventilator me kosto të ulët.
Ekipit iu deshën pothuajse katër muaj për të përfunduar ventilatorin, i cili pjesërisht bazohet në një dizajn të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT) dhe ata morën udhëzime nga ekspertë të Universitetit të Harvardit.
Pajisja është e lehtë për t’u lëvizur, mund të funksionojë me energjinë e baterisë për 10 orë, dhe kushton afro 700 dollarë për t’u prodhuar, krahasuar me çmimin 20 000 dollarë të një ventilatori tradicional.
“Jemi të kënaqur që kemi mundur të ndërmarrim hapin e parë në fushën e mjekësisë dhe të jemi në gjendje t'u shërbejmë edhe njerëzve në këtë fushë. Të gjithë anëtarët e ekipit tonë ndjehen të lumtur sepse pas disa muajsh punë të vështirë, ne ishim në gjendje ta arrinim këtë rezultat," tha Faruqi për Reuters.
Edhe pse ventilatori ende duhet t'i nënshtrohet testimit përfundimtar nga autoritetet shëndetësore para se të përdoret, zyrtarët e mirëpresin atë në një vend me vetëm 800 ventilatorë për të trajtuar numrin në rritje të shpejtë të rasteve të koronavirusit në një sistem shëndetësor të dëmtuar nga lufta.



