Xhadat/ 3.3 miliardë lekë për Pazarin e Vjetër të Shkodrës, banesës së Erida Saraçit vijon t’i futet shiu edhe pas ndërhyrjes!

Xhadat/ 3.3 miliardë lekë për Pazarin e Vjetër të Shkodrës, banesës së Erida Saraçit vijon t’i futet shiu edhe pas ndërhyrjes!

Një investim prej 3.3 miliardë lekësh të vjetra për rijetëzimin urban të Pazarit të Vjetër të Shkodrës, por për një banesë në zonën Zdrale, problematika me depërtimin e ujit nga shiu vijon të mbetet e pazgjidhur. 

 

Bëhet fjalë për banesën e Erida Saraçit, e cila denoncoi më herët në emisionin “Xhadat” pasojat që, sipas saj, i kishte shkaktuar projekti i financuar nga qeveria shqiptare, zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe me përfitues Bashkinë Shkodër.

 

Në denoncimin e parë, Saraçi tregoi se pas punimeve të sistemimit të rrugës dhe trotuareve, banesa e saj kishte mbetur në një nivel më të ulët, duke bërë që uji i shiut të depërtonte brenda. Ajo ngriti shqetësime edhe për çatinë e re, e cila sipas saj nuk ishte e përshtatshme për muret e vjetra të banesës. 

 

Në pamjet e atëhershme, ekipi i “Xhadat” dokumentoi lagështinë dhe plasaritjet në mure, si dhe ujin që depërtonte në ambientet e brendshme.

 

Pas denoncimit, gazetari Ersid Karaj dhe Erida Saraçi u takuan me nënkryetarin e Bashkisë Shkodër, Alban Preka. Ky i fundit premtoi ngritjen e një grupi pune për të verifikuar situatën dhe ndërhyrjen në banesë. Një nga ndërhyrjet e para ishte vendosja e një dere të re hyrëse.

 

Por rikthimi i “Xhadat” në banesën e zonjës Saraçi tregon se vendosja e derës nuk e ka zgjidhur problemin. Ajo shprehet se shiu vijon të depërtojë nga hyrja, ndërsa çatia vazhdon të pikojë. Në pamjet e reja të dërguara nga vetë banorja, shihet uji që hyn në katin e parë nga dera dhe depërtimi i tij nga çatia në katin e dytë.

 

Në takimin e dytë me nënkryetarin e Bashkisë Shkodër, Alban Preka, ky i fundit argumentoi se projekti fillestar kishte parashikuar ndërhyrje në fasada dhe se rindërtimi i çatisë ishte bërë më vonë, pas kërkesës së banorës. Ai mbrojti punimet e kryera, duke iu referuar edhe fotografive të gjendjes së jashtme të objektit, ndërsa pretendoi se uji nuk hynte nga dera apo çatia, por nga muret. Gjatë debatit, Preka i tha gjithashtu zonjës Saraçi të ndërhynte vetë për ndërrimin e tjegullave dhe për rritjen e nivelit të trotuarit. Në fund, ai premtoi se do të kryhej një tjetër verifikim i çatisë.

 

Për të krahasuar ndërhyrjet në banesën e Erida Saraçit me ato në objektet e tjera të Pazarit të Vjetër, ekipi i “Xhadat” verifikoi disa ndërtesa në të njëjtën zonë. Në disa prej tyre ishin realizuar tavane dhe çati të reja, si dhe punime të tjera të brendshme. Pronarët e objekteve të intervistuara thanë se pas ndërhyrjeve nuk kishin probleme me depërtimin e ujit nga çatitë. Ndërkohë, në banesën e Saraçit, sipas pamjeve dhe dëshmisë së saj, problematika vijon.

 

Ekipi i “Xhadat” tentoi të merrte një përgjigje edhe nga zyra rajonale e Fondit Shqiptar të Zhvillimit pranë Pazarit, por dera e institucionit nuk u hap dhe nuk u mor asnjë sqarim në vend.

 

Pas kërkesës për informacion, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kthyer një përgjigje zyrtare. FSHZH sqaron se projekti është hartuar dhe paraqitur për financim nga Bashkia Shkodër, ndërsa Fondi ka vepruar si agjenci zbatuese. Për banesën e Erida Saraçit, institucioni konfirmon se pas ankesave të saj dhe kërkesave të Bashkisë, ndërhyrja fillestare u zgjerua në rindërtimin e plotë të çatisë, me konstruksion të ri druri, tjegulla dhe ulluqe, si dhe në rindërtimin e tavaneve të brendshme.

 

Megjithatë, FSHZH pranon se projekti nuk parashikonte përforcim apo rikonstruksion strukturor të mureve të banesës. Sa i përket depërtimit të ujit nga çatia, institucioni thotë se punimet janë përfunduar dhe kolauduar, por objekti ndodhet ende në periudhën e garancisë. Për këtë arsye, mbikëqyrësi dhe kontraktori duhet të kryejnë verifikime teknike dhe, nëse konstatohen defekte që lidhen me punimet, të marrin masat për riparimin e tyre.

 

Për rrugën dhe trotuaret, Fondi pretendon se punimet janë realizuar sipas kuotave, pjerrësive dhe sistemit të kullimit të përcaktuar në projektin e miratuar. Por pamjet e reja të dërguara nga Erida Saraçi, gjatë reshjeve, tregojnë se uji vijon të depërtojë në banesë, pavarësisht vendosjes së derës së re dhe ndërhyrjes në çati.

 

Kështu, ndërsa projekti i rijetëzimit të Pazarit të Vjetër konsiderohet i përfunduar dhe i kolauduar, për banesën e Erida Saraçit mbetet ende e hapur çështja e depërtimit të ujit dhe nevoja për një zgjidhje përfundimtare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy