
Imazhet e fundit satelitore nga qendra amerikane për studimin e Antarktidës tregojnë rënie drastike të masiveve akullnajore. Sipas shkencëtarëve, akulli që mbulon oqeanin rreth Antarktidës ka shënuar rekordin më të ulët këtë dimër.
Ky është minimumi rekord që nga vitin 1979 kur nisën matjet e para, shkruajnë shkencëtarët. Një sasi prej rreth 1 milion km katrorë mungon, sipërfaqe e përafërt me shtetin e Teksasit dhe Kalifornisë së bashku.
Studiuesit kanë paralajmëruar se ndryshimi mund të ketë pasoja të rënda për kafshët në Antarktidë dhe më të prekurit mund të jenë pinguinët që rritin të vegjlit e tyre në akullin e detit. Po ashtu, prej kohësh, shkencëtarët anekënd botës kanë ngritur shqetësimin për ngrohjen globale. Akullnajat kanë ndikimin e tyre që të ketë kalim të butë të stinëve. Një nga pasojat afatgjata do të jetë edhe mungesa e stinëve.
Një problematikë tjetër që ata shtrojnë si pasojë e shkrirjes masive të akullnajave është ulja e kripës në det. Kjo do të ndikojë te gjallesat e detit, sipas ekspertëve, duke sjellë ndikim deri tek jeta njerëzore në Tokë.
Shkaku i këtij ndryshimi ka hapur debat mes shkencëtarëve. Së fundmi ata kanë arritur në konsensus se shkrirja masive ndodh për shkak të ngrohjes së oqeaneve. Studiuesit shprehen pesimistë për situatën, pasi, sipas tyre, do të duhen dekada apo shekuj që të rikuperohet situata. Nuk ka asnjë zgjidhje të shpejtë për të zëvendësuar akullin që ka shkrirë.



