
Japonia do të zgjerojë sanksionet e saj kundër Rusisë, duke ndaluar importet nga Rusia të qymyrit dhe vodkas. Kryeministri Fumio Kishida po ashtu bëri me dije se do të ngrihen asetet në bankat kryesore si Alphabank dhe Sberbank.
“Sanksionet e reja do të reduktojnë gjithashtu importet e qymyrit dhe investimet e reja në Rusi, në përputhje me masat e marra nga vendet e tjera të G7”, shtoi Kishida.
Megjithatë, ai nuk dha një afat kohor specifik për heqjen e importeve të qymyrit, duke thënë se Japonia përdorte qymyr në sektorë të ndryshëm.
Ai shtoi se Tokio do të duhet të marrë parasysh situatat në secilin prej sektorëve të ekonomisë.
Kishida i konsideroi veprimet e Rusisë në Ukrainë si "krime lufte të pafalshme” dhe tha se ato kanë shkelur ligjet ndërkombëtare humanitare.
Ai tha se masat ndëshkuese të Tokios kundër Moskës janë pjesë e përpjekjeve të Japonisë për të ndaluar një përshkallëzim të dhunës dhe për t'i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur.



