
OSBE, ka paralajmëruar se më 25 shtator, ka thirrur një tryezë të përbashkët për të diskutuar lidhur me reformën zgjedhore. Lidhur me këtë fakt, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, ka deklaruar se për momentin nuk ka asnjë ftesë zyrtare nga ky institucion, dhe se me të mbërritur në seli, PD, do ta shqyrtojë pjesmarrjen e tyre. Përtej përgjigjes për të shkuar apo jo në një tavolinë me të gjitha palët politike, Basha është shprehur i bindur se kriza politike nuk do të zgjidhet vetëm me një tryezë.
“Nuk kemi akoma një ftesë për tryezën e reformës zgjedhore. Do ta shqyrtojmë dhe do vendosim. Partia Demokratike është e angazhuar për reformën zgjedhore, por askush të mos ketë iluzione se kriza mund të zgjidhet vetëm me një tryezë”, pohoi Basha.
Ndërkohë, OSBE ka shpërndarë ftesat për konferencën që do të zhvillojë lidhur me reformën zgjedhore, më 25 shtator.
Komisioni për Reformën Zgjedhore është ngritur nga Parlamenti, e përveç anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare, është lënë një vend bosh edhe për opozitën jashtë parlamentare.



