Pas Instagram, duket se edhe Snapchat ka kopjuar një opsion të rrjetit social Tik-Tok.
Një aplikacion që së fundmi është bërë viral dhe me miliona përdorues.
Opsioni i ri që Snapchat do të vërë në dispozicion të përdoruesve është Spotlight.
Spotlight do t'u japë mundësinë përdoruesve të publikojnë video të shkurtra nga 60 sekonda, gati i njëjtë me formatin e Tik-Tok, por ajo që do të bëjë ndryshimin janë komentet, që nuk do lejohen të bëhen publike.
Për t'ju tërhequr që të publikoni rregullisht, aplikacioni do të paguajë përdoruesit, për çdo shikim.
Janë vënë në dispozicion një milion dollarë në ditë deri në fund të vitit, të cilat do të ndahen mes atyre që shpërndajnë videot më të shikuara.
"Ne krijuam Spotlight për të argëtuar komunitetin tonë duke respektuar vlerat e Snapchat, dhe mirëqenien e përdoruesve si një përparësi kryesore", shpjegon kompania në një shënim, në të cilin thekson se përmbajtja do të moderohet dhe ndryshe nga TikTok komentet nuk do të bëhen publike.
Spotlight është vënë në dispozicion në 11 vende, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi, Zelandën e Re, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Norvegjia, Suedia, Danimarka, Gjermania dhe Franca.
Së shpejti pritet që kjo alternativë e re të jetë e disponueshme edhe për vende të tjera.



