
Një nga biznesmenët më të mëdhenj në botë është në krye të një revolucioni të heshtur që po ndodh në ekonominë kineze. Me kreditë që jep banka online e Jack Ma për bizneset e vogla synon të zgjerojë hapësirat e kreditimit, një aspekt ekonomik që e ka penguar ekonominë më të madhe aziatike për dekada të tëra. Duke përdorur të dhënat e pagesave në kohë reale dhe një sistem të menaxhimit të rrezikut që analizon më shumë se 3,000 variabla, MYbank u ka dhënë 2 trilion juanë (290 miliardë dollarë) për kompanitë e vogla të vendit në 4 vitet e jetës së saj në treg.
Aplikimi është i lehtë, pasi kryhet përmes smartfonit dhe paratë merren kesh nëse kredia aprovohet.
I gjithë procesi kryhet brenda 3 minutash dhe gjithçka është dixhitale. Kreditë me problemi, të përfituara në këtë mënyrë, deri tani janë në masën 1%.
Bumi i teknologjisë financiare që e ka kthyer Kinën në tregun më të madh në botë për pagesat elektronike po ndryshon tani edhe mënyrën sesi bankat ndërveprojnë me kompanitë, të cilat janë elementi që qëndron në bazë të rritjes ekonomike të vendit. Mybank, por dhe kompani të tjera që mbështeten në sistemet e pagesave, mediat sociale dhe burime të tjera, duken të kënaqura me huamarrësit e vegjël, të cilët më përpara u drejtoheshin gjigantëve shtetërorë.
Për ekonominë 13 trilionë dollarëshe të Kinës, e cila në tremujorin e dytë të këtij viti është zgjeruar me ritmin më të ulët që prej vitit 1992, implikimet mund të jenë të thella. Bizneset private, kryesisht ato të vogla, përbëjnë rreth 60% të rritjes. Ato punësojnë 80% të punëtorëve dhe janë ndikuar në dukshëm nga goditja që qeveria kineze ka ndërmarrë ndaj huadhënësve jashtë sistemit bankar.



