
Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën, shkruan “Zeri.info”.
“LIBE votoj pro liberalizimit të vizave për Kosoven, me 30 vota për, 10 kundër dhe 2 abstenime. Tani mandatohet Parlamenti Evropian dhe Këshilli per marrëveshje ndër-institucionale për liberalizim. Lajm shumë i mirë”, ka shkruar Artan Murati nga Instituti Demokatik i Kosovës (KDI) në llogarinë e tij në “Facebook”.
Ky vendim i hap rrugë fillimit të negociatave në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, për të vazhduar më pas me procedurat e tjera të vendimmarrjes.
Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, para anëtarëve të Komitetit kërkoi votën e tyre për rekomandimin e vizave pasi, siç tha ajo, Kosova ka bërë rrugë të gjatë deri te heqja e vizave.
“Do të doja të falënderoja të gjithë ata që kanë kontribuuar, sepse e di që ka qenë rrugë e gjatë dhe është hap i rëndësishëm për Kosovën që ka qenë e izoluar për një kohë të gjatë. E di sa e vështirë ka qenë dhe e di se sa shumë kanë punuar. Ju ftoj që ta përkrahni Kosovën për liberalizimin e vizave”, ka thënë Fajon para votimit.



