
Presidenti i SHBA-ve Joe Biden njoftoi sot se do të emërojë diplomatin David J. Kostelancik, për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri. Kujtojmë që Kostelancik nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë, pasi ka shërbyer në fillim të viteve ’90 në zyrën politike në vendin tonë.
Aktualisht ai mban postin e këshilltarit për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley. Më herët ai ka shërbyer si shef i misionit për dy vjet dhe si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Kostelancik tha se ka mbajtur sakaq detyrën e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit. Po ashtu ai ka shërbyer dy here në Ambasadën amerikane në Moskë, si dhe në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO dhe në Ankara të Turqisë.
Vlen për t'u theksuar se Kostelancik është njohës i gjuhës shqipe, ndërsa flet edhe rusisht, turqisht dhe hungarisht.
Nëse kandidatura e tij merr dritën e gjelbër nga Senati, Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim e cila mori votëbesimin si ambasadore e SHBA nga senati amerikan në 29 nëntor 2019 dhe mbërriti në Tiranë në 22 janar të 2020.



