Ministrja kubaneze e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Marta Elena Feito-Cabrera, është detyruar të japë dorëheqjen nga posti i saj pasi bëri komente në një seancë parlamentare ku mohoi ekzistencën e lypësve në ishullin e drejtuar nga komunistët.
Ministrja kishte thënë se në Kubë nuk kishte “lypës” dhe se njerëzit që kalonin nëpër mbeturina, në thelb, e bënin këtë nga zgjedhja e tyre për të fituar para të lehta.
Komentet e saj u kritikuan gjerësisht nga kubanezët brenda dhe jashtë vendit, dhe nxitën një reagim nga presidenti i ishullit, Miguel Diaz-Canel, çka bëri që ministrja të japë dorëheqjen.
Nivelet e varfërisë dhe mungesa e ushqimit janë përkeqësuar në Kubë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një krizë të rëndë ekonomike.
Feito-Cabrera i bëri komentet në një seancë të Asamblesë Kombëtare, në të cilën foli për njerëzit që lypin dhe kërkojnë nëpër koshat e plehrave në Kubë.
Nuk ka lypës në Kubë. Ka njerëz që pretendojnë të jenë lypës për të fituar para lehtë.
Për më tepër, ajo akuzoi njerëzit që kërkonin nëpër mbeturina si “pjesëmarrës të paligjshëm në shërbimin e riciklimit”.
Një numër aktivistësh dhe intelektualësh kubanë publikuan një letër duke kërkuar largimin e saj, duke thënë se komentet ishin “një fyerje për popullin kubanez”.
Presidenti kubanez më pas kritikoi Feito-Cabrera në seancën parlamentare, ndonëse pa e përmendur me emër, duke thënë se udhëheqja nuk mund të “veprojë me përbuzje” ose të jetë e shkëputur nga realitetet e popullit.
Dorëheqja e Feito-Cabrera u pranua nga Partia Komuniste Kubane dhe qeveria.



