
Duke qenë se është hera e parë që një parti politike çon për ndjekje penale një ish-ministër të saj në lidhje me inceneratorët, deputeti i LSI Endrit Brahimllari, e cilëson këtë si aferën më të madhe shtetërore.
Në kallëzimin e LSI thuhet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
Sipas Brahimllarit, LSI nuk merret me emra konkretë, por me faktin se shtetit dhe tatimpaguesve shqiptar i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
“Është një aferë e lartë shtetërore dhe nuk ka lidhje me emrat politike, ka lidhje me fondet qendrore, fondet publike të shpërdoruara. Kjo ka qenë çështje e prekshme nga LSI dhe është kallëzimi i tretë për çështjen e inceneratorëve. SPAK ka përpara tre dosje të cilat janë lehtësisht të qarta dhe të kuptueshme, të cilat duhet te hetohen për të cuar përpara në një transparencë dhe të çohet në vend e drejta qytetare dhe e drejta e tatimpaguesve, i cili rëndon drejtpërdrejtë buxhetin e shtetit’.
Po cilat janë faktet që cilat janë adresuar për kallëzim në SPAK.
Brahimllari thotë se vetëm kryetari Subashi ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë 46 milion lekë të reja, duke i ndërruar vendin ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit, me një tjetër me sipërfaqe më të vogël.
“Afera duke kapur nga ish-ministri deri te kryetari i Bashkisë, dhe tashmë dosja i është dorëzuar SPAK, dhe presim që të zbardhet e vërteta dhe besojmë në organet e drejtësisë. Vetëm kryetari i bashkisë ka ndërhyrë në vendin ku do të bëhej inceneratori, nga një sipërfaqe ku bëhej fjalë për 6 hektar, pjesë e institucioneve shtetërore, e ka kaluar në 1.3 hektar duke e bërë të mundur kësisoj një dëmshpërblim të kësaj zone, duke shkaktuar dëm prej 46 milion lek të reja, shtetit. Nuk ka pasur transparencë as komunikim me banorët e zonës, dhe kjo ka bërë që cenohet drejtpërdrejtë taksa e qytetarëve. Këto janë lehtësisht të faktuara dhe të dokumentuara”.
Brahimllari, numëron më tej faktet të cilat si ish-ministër, Lefter Koka, ka ndryshuar kohëzgjatjen e planifikimit të projektit nga 20 muaj, në 5 vjet.
“Ka një shkelje të drejtpërdrejtë të të gjitha institucioneve, fillimisht procedurat janë bërë si tender kombëtare, ndërkohë që do duhej të bëhej si tender ndërkombëtar, për të shmangur konkurrencën. Ishte planifikuar projekti për 20 muaj, është shtyrë për 5 vjet, pra duke i lënë vend abuzimeve dhe shkeljeve procedurale në tender”.



