Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeministrit të parë të Kosovës, Bajram Rexhepi. Në një mesazh të shpërndarë në “Facebook”, Basha shprehet se Rexhepi mbetet një shqiptar i madh.
Postimi i Bashës
Bajram Rexhepi ishte njeri i veçantë dhe shqiptar i madh. Pak njerëz i kanë shërbyer popullit të tyre si ai, duke u kujdesur me përkushtim si mjek për jetët e njerëzve, duke luftuar për lirinë e tyre dhe duke drejtuar përpjekjet e tyre për demokraci dhe përparim.
Kam patur nderin të takohem shpeshherë me Bajramin dhe do të ruaj përherë brenda meje mbresat e pashlyera për dinjitetin, përunjësinë dhe mirësinë e tij.
Në këto momente të dhimbshme të ndarjes së tij të parakohshme nga jeta bashkoj lutjet e mia me ato të familjarëve dhe miqve të tij. U prehtë në paqe! I paharruar kujtimi i tij!



