
Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste për Integrim kanë dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e anëtarëve për në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Sekretari për çështjet zgjedhore Ivi Kaso i ka dorëzuar sot KQZ-së bashkë me përfaqësuesin e LSI-së, listën me komisionerë.
PD dhe LSI, edhe pse nuk garojnë me kandidat për kryebashkiak në zgjedhjet e 30 qershorit, kërkuan të shfrytëzojnë të drejtën ligjore që i lind nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, për të pasur komisionerë. PD dhe LSI, argumentuan se duan të jenë pjesë e brendshme e proccesit zgjedhor, pasi sipas tyre mazhoranca është duke bërë shkelje, siç është sipas tyre, edhe regjistrimi i kandidatëve për kryebashkiakë.
Ndërkohë, kjo shihet si një mundësi nga opozita joparlamentare për të penguar dhe bllokuar procesin zgjedhor, duke mos paraqitur ditën e votimeve komisionerët e saj.
Dy forcat politike që zgjodhën të mos marrin pjesë në garën elektorale me kandidatë për kryetarët e rinj të 61 bashkive, pas djegies në bllok të mandateve të deputetëve, tashmë kërkojnë të kenë anëtarët e tyre, pra të PD-së dhe LSI-së, në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.



