Është një ndër sëmundjet me përhapjen më të madhe. Në dhjetëvjeçarin e fundit, depresioni është rritur me 18%. Në një raport të OBSH-së thuhet se nga viti 2005 deri në vitin 2015, depresioni ka shënuar 18% më shumë të prekur. Në total, 300 milionë persona vuajnë nga depresioni.
Por përtej numrit të madh të personave që vuajnë prej tij, problem mbetet mostrajtimi. Edhe në vendet me standarde të larta jetese, shumë prej personave që vuajnë nga depresioni, nuk trajtohen. Në buxhetet e vendeve të pasura, për trajtimin e kësaj sëmundjeje parashikohet rreth 3% e tyre, ndërsa në vendete varfra, kjo shifër zbret në 1%.
Sipas OBSH-së, hapi i parë për të trajtuar këtë sëmundje është pranimi i saj. Nga kjo e ka marrë emrin edhe fushata ndërgjegjësuese “Let-s talk”. “Për ata që vuajnë nga depresioni, të flasin me një njeri te i cili kanë besim është hapi i parë drejt terapisë dhe shërimit”, thotë Shekhar Saxena, që drejton departamentin e Shëndetit Mendor në OBSH.



