Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm dhe pjesë e Këshillit të Ambasadorëve, thotë se refuzimi i Brukselit për të dhënë një datë për tryezën e parë negociuese erdhi nga dështimi i plotësimit të kushteve: krijimi i Kushtetuese në mënyrë funksionale dhe zbatimi i ligjit të reformës zgjedhore.
Sipas tij, zgjerimi i Ballkanit Perëndimor, u mbështet fort nga BE e veçanërisht Gjermania.
Procesi i Berlinit që u iniciua nga Gjermania ishte në funksion pikërisht të nxitjes së ritmeve për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Andaj, ai e sheh të tepërt përpjekjen për të fajësuar zhvillimet e brendshme të Unionit, si shkak për refuzimin e radhës.
Për të justifikuar këto mosarritje brenda Shqipërisë, përgjegjësia kërkohet te Franca, te Bundestagu, te Parlamenti holandez. Një mundësi e tillë do të mund të na çojë në veprime dhe qëndrime të tjera të gabuara.
Nën këto argumente, Milo shprehet pesimist për miratimin e kuadrit negociues BE-Shqipëri para zgjedhjeve të 25 prillit.
Konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë, nisur nga analiza dhe logjika, nuk do të hapet para zgjedhjeve të 25 prillit. Do të ishte një bonus i madh, i qëllimshëm për qeverinë aktuale para zgjedhjeve, do të ishte një mosrespektim nga ana e vetë BE i kushteve që ka vënë për Shqipërinë, ku ndër të tjera është nënvizuar me forcë zbatimi i reformës zgjedhore.



