
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi informon lidhur me procesin e votimit në bashkinë Himarë, në garën mes kandidatit të mazhorancës Vangjel Tavo dhe atij të opozitës Petro Gjikuria.
Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale Celibashi thotë se prej orës 07.00 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e bashkisë Himarë dhe se të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.
Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika.
Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Janë 23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote në bashkinë Himarë dhe përgjatë gjithë territorit të kësaj bashkie janë 36 qendra votimi.



