Kalabria, vendi mikpritës i emigrantëve (VIDEO)

Kalabria, vendi mikpritës i emigrantëve (VIDEO)

Një histori shqiptare mbi 500-vjeçare ruhet dhe sot e kësaj dite në jug të Italisë, në ata që njihen si fshatrat arbëreshë të Kalabrisë.

Vetë banorët e këtyre fshatrave e quajnë veten arbër dhe vendin e tyre Arbëri, ndërsa shqiptarët i cilësojnë si gjakun e tyre të shprishur.

Arbëreshët nuk lenë asnjë vend pa shfaqur identitetin e tyre, ndërkohë që për ta gjuha është shumë e rëndësishme. Çdo emër fshati, sheshi, emër rruge apo institucioni zyrtar dhe jo vetëm e gjen të shkruar në arbërisht dhe në italisht, ndërsa urimi i tyre edhe kur trokasin gotat me njëri-tjetrin dhe shqiptarët është: rroftë gluha jonë sa buka dhe sa vera!

Emrat e heronjve shqiptarë gjenden në çdo fshat arbëresh dhe bustet e tyre në sheshet e këtyre fshatrave.

Udhëtimi ynë ndalet në tre fshatra arbëreshë të zonës së Kozencës:  Firmoza: Acquaformosa, Ungra: Lungro dhe Vakarici: Vaccarizzo Albanese.

Aldo Marino, Konsulli i nderit i Shqipërisë në Kalabri: "Këtu jemi në një fshat arbëresh që quhet Vacarizzo Albaneze. Këtu jemi në sheshin “Skënderbeg”, i rregulluar para gjashtë vjetësh, ku vendosëm edhe bustin e Skënderbeut.

Unë isha kryetar bashkie. Kishim bustin e Skënderbeut, që na i kishte dhënë Kuvendi i Shqipërisë shumë vjet më parë dhe kur rregulluam këtë vend erdhi një artist italian shumë i njohur. I pëlqeu shumë fshati arbëresh, historia e arbëreshëve dhe më tha do të bëj një vepër për ty. Unë i thashë kemi bustin e Skënderbeut dhe ai na bëri bazamentin. Kemi shumë kënaqësi. Ka më shumë rëndësi, më shumë vlera Skënderbeu, që është historia jonë."

Njerëzit në këto fshatra i cilësojnë shpesh shqiptarët si gjakun e tyre të shprishur, ndërkohë që ndjenja e të qenit arbër është e fortë.

Në zonë jetojnë mijëra arbëreshë, por nuk mungojnë as shqiptarët që kanë emigruar pas viteve '90-të.

Cosmo Orofino, banor i Vaccarizzo Albanese: "Ne jemi 1200 banorë arbëreshë dhe kemi 300 shqiptarë të rinj që punojnë, që jetojnë këtu, që kanë familje, që rinovuan edhe gjakun tonë. Puna kryesore këtu është në bujqësi."
 

RUAJTJA E GJUHËS

Ruajtja e gjuhës është një nga problemet kryesore me të cilin haset ky komunitet. Shpopullimi i këtyre fshatrave sjell me vete edhe rrezikun e bjerrjes së gjuhës dhe traditave arbëreshe, ndaj jo pak arbëreshë kërkojnë ndihmën e qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

Giovanni Manoccio, President i Shoqatës “Don Vincenzo Matrangolo”: "Këta janë katunde, ku prej 20 vjetësh ka shumë pak njerëz, sepse gjithë jugu i Italisë është shpopulluar. Unë kur isha kryetar i bashkisë këtu ishin gjithë shtëpitë vakante dhe shumë njerëz mund të vinin për të jetuar. Nëse vijnë njerëz, hapen shkolla, zhvillohet ekonomia. Nëse nuk ka njerëz, fshati vdes.  Nëse njerëzit ikin është keq sepse gjithë rrënja jonë ikin, zhduket, nuk ekziston më. Presidenti i Shqipërisë duhet të kuptojë se ne jemi një komunitet që do të qëndrojë afër Shqipërisë, ka nevojë për Shqipërinë në këtë moment dhe instituconet shqiptare duhet të përgjigjen."

Aldo MarinoKonsulli i nderit i Shqipërisë në Kalabri: "Gjuha ruhet, por sot kemi problem, sepse me globalizimin, minorancat kanë problem edhe me italishten, por edhe me gjuhën angleze. Kemi dhe shkollë shqipe. Tradita e gjuhës është orale, por kemi edhe gjuhën e shkruar.

Dje patëm presidentin Meta, unë jam konsull i nderit i Shqipërisë në Kalabri. Dje president i ishte i pranishëm në një fshat arbëresh, Platiçi ku ka rrënjët Antonio Gramshi dhe Platiçi ka bërë një binjakëzim me qytetin e Gramshit në Shqipëri, një konferencë shumë e rëndësishme.

Mendoj se duhet të ketë më tepër bashkëpunim dhe shqiptarë që vijnë në Kalabri dhe anasjelltas, arbëreshë që shkojnë në Shqipëri. Nëse kemi kontakt të vazhdueshëm do të jetë më mirë. Kam një projekt, verën që vjen do të sjellim studentë shqiptarë në kolegj këtu për 20 ditë apo një muaj."

Besimi i ritit ortodokso-grek është tepër i rëndësishëm për të gjithë banorët e këtyre fshatrave dhe ndërkohë edhe mons. Donato Oliverio, peshkopi i Lungros e vlerëson si tepër të rëndësishëm faktin që ky besim dhe traditat arbëreshe të ruhen dhe të përçohen më tej.  Ai e pohon me krenari se gjuha dhe traditat arbëreshe në Kalabri janë të ruajtura me fanatizëm dhe shprehen hapur, në ndryshim me atë çfarë ka ndodhur me arvanitasit në Greqi.

 

ARBËRESHËT: JEMI SHQIPTARË, DUAM PASAPORTA SHQIPTARE

E ndërkohë që vlera e kësaj kulture njihet dhe vlerësohet tashmë jo vetëm nga komuniteti arbëresh, por shumë më gjerë, vetë arbëreshët kërkojnë më tepër vëmendje nga shteti shqiptar.  Ata madje shprehen se dikur janë ndier sitë huaj në dheun e tyre, ndërkohë që tani është koha që të trajtohen si shqiptarë nga Shqipëria.

Giovanni Manoccio, President i Shoqatës “Don Vincenzo Matrangolo”: “Jam president i një shoqate që i jep mbështetje të gjithë migrantëve të Evropës.  Ne në Firmozë jemi një komunitet arbëresh, komunitet në minorancë që jetojmë prej 500 vjetësh në Kalabri. Ashtu siç Kalabria na dha ne, ashtu ne i japim atyre që janë më keq se ne, që vijnë nga luftërat, konfliktet, vuajnë nga uria. Në Firmozë kemi bërë një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe emigrantët qëndrojnë këtu një vit apo një vit e gjysmë. Ne këtu i çojmë në shkollë, i rrisim, i gjejmë azil, i gjejmë punë dhe i mësojmë si jetohet në Itali me traditat italiane, por duam që kultura e tyre të qëndrojë, siç ka qëndruar jona për 500 vjet.

Në 10 vjet në këtë shoqatë kanë ardhur me mijëra njerëz nga Afrika, Azia etj. Ne filluam aktivitetin me shqiptarët që ikën nga Shqipëria në vitet ‘90. Të gjithë ata që erdhën këtu në ato vite gjetën shtëpi dhe njerëz që i deshën. Të parët ishin kalabrezët dhe më pas shqiptarët, arbëreshët dhe tani janë afrikanët. Punojnë 120 vetë në shtatë projekte që janë gjithë katundet arbëreshe. Ky është modeli i Italisë i bërë nga arbëreshë. Ne patëm njohje nga Komuniteti Europian. Unë shkova në Brukesl, Paris, Londër, Zyrih, Madrid etj., por nuk pata mundësi të vija në Shqipëri e të thoja që arbëreshët e vjetër kanë dëshirë të bëjnë këtë model.

Ne këtu ishim si të huaj brenda dheut tonë. Tani ne donim të flisnim me qeverinë shqiptare, t’i themi se kemi nevojë për shumë shërbesë. Unë ndjehem një pjesë shqiptar e një pjesë italian. A ka mundësi që kur të vij në Shqipëri të kem një pashaportë, që të më thotë ti je shqiptar, arbëresh i vjetër dhe ke të drejtë të kesh pashaportë shqiptare?"

 

NDIHMË PËR FËMIJËT EMIGRANTË

Giovanni Manoçio ndërkohë vëren se po çon përpara një betejë ligjore për gjendjen dhe të drejtat e shqiptarëve në Itali. Sipas tij, në vend ka shumë fëmijë shqiptarë emigrantë të pashoqëruar, të cilët i sjellin deri në Itali dhe më pas i braktisin. Ai vëren edhe se ky fenomen është në rritje.

“Është një fenomen në rritje. Fëmijët shqiptarë i sjellin në Itali dhe i lenë, sepse këtu tek ne është një legjislacion që i mbron të vegjëlit për fat të mirë, një ligj që quhet ligji Zampa, që thotë se minonerët e huaj të pashoqëruar që vijnë në territorin italian edhe në det, mbrohen. Është një legjislaturë e bërë me dekret të Salvinit, që këta të vegjël të pashoqëruar që në momentin që mbushin 18 vjeç e 1 ditë në territorin italian quhen klandestinë dhe bëhen persona pa dokumente, pa shërbime mjekësore, pa mbrojtje. Italia si shtet civil duhet t’u japë asistencë dhe fola me ambasadën dhe shkova në samitin e diasporës por ishte e pamundur të flisja për diçka të tillë, sepse një vend që po çertifikon mundësinë e futjes në Komunitetin Evropian duhet të ketë edhe mundësinë e një tranzicioni, se ti nuk je një vend afrikan, (jo për racizëm), por bën pjesë në Evropë. Bën pjesë në një komunitet, që po futet apo po tenton të futet në familjen evropiane. Vitet e fundit minorenët më të shumtë që janë futur në territorin italian janë shqiptarë, më tepër se sa afrikanët.”

 

USHQIMI DHE TRADITA E KULTIVIMIT TË ULLINJVE

Traditat arbëreshe mund t'i prekësh dhe t'i ndiesh kudo: në mënyrën e të folurit, në kostume tradicionale dhe sigurisht edhe në mënyrën e të ushqyerit.

Kultivimi i ullirit dhe vajit të ullirit ëshët gjithashtu një traditë e hershme e gjithë zonës.

Cosmo Orofino, banor i Vacarizzo Albanese: “Gjethet e ullirit simbolizojnë vendasit që kanë ikur jashtë të punojnë, por do të thonë edhe rikthim. Pema ka historinë e saj. Ne me ullirin jetojmë, me vajin dhe bëjmë zjarr me drurin. Pastaj ulliri ka vetinë që ti e pret dhe ai rritet. Këtu në jug jetojmë me agrikulturë. Kjo është vepra ime e artit.”

Arbëreshja Carmela Librandi na pret me ngrohtësi në vilën e saj duke na ofruar përveç gotës së verës edhe pak nga vaji i saj i ullirit. Librandi njihet si prodhuesi më i madh i vajit të ullirit në këtë krahinë dhe për të cilin kanë shkruar edhe media prestigjioze në Itali.

 

VESHJET ARBËRESHE

Arbëreshët kanë ngritur muzeumet e tyre të fotografive, të veshjeve dhe kostumeve, ndërkohë që flamurin shqiptar e sheh të varur edhe në ballkone shtëpish.  Muzeu i veshjeve është një prej atyre vendeve që ia vlen ta vizitoni. I krijuar para 40 vitesh nga një prift, muze sot ofron një larmi veshjesh dhe kostumesh jo vetëm të zonës së Kalabrisë, por edhe të Siçilisë dhe kostume popullore shqiptare.

Aldo MarinoKonsulli i nderit i Shqipërisë në Kalabri:  “Jemi në Vakaricë, në muzeun e kostumeve arbëreshë. Ky muze është krijuar para 40 viteve nga një prift që jetoi në Shën Dimitër, që ishte i pari që mendoi për rëndësinë e kulturës popullore arbëreshe dhe krijoi këtë muze. Gjithë adiministratorët kanë kontribuar dhe shtuar këtë muze me kostume. Këtu kemi kostume të shumë komuniteieve arbëreshë, jo vetëm nga Kalabria, por edhe nga Siçilia. Para 40 vitesh gjithë gratë visheshin kështu. Dhe kemi edhe kostume shqiptarë, që na kanë dhuruar për muzeun. Kemi shumë vizitorë.” 

Në një kënd të muzeut ndodhen edhe fotografi të vjetra të Vakarice Albaneze, që tregojnë për zhvillimin social, rrugët dhe traditat e fshatit. Një fakt interesant është se në fshatin, dikur të varfër dhe me plot kafshë pune, sot nuk gjen asnjë gomar.

 

SHTËPIA MUZE, KU RUHEN EDHE KËNGËT

Traditat dhe këngët arbëreshe janë tepër të rëndësishme dhe vazhdojnë të ruhen dhe të transmetohen edhe tek brezat më të rinj. Anna Stratigo është një prej atyre që ruan me fanatizëm dhe dashuri identitetin e saj. Shtëpia Stratigo në Lungro është një muze-hotel, që mirëpret njerëz nga e gjithë bota dhe një prej atyre vendeve ku të huajt mund të njohin ndopak kulturën arbëreshe.

Anna ka krijuar edhe atë që ajo e quan “Officina di Musica”. Çdo javë, vajza dhe gra arbëreshe mblidhen në shtëpinë e Anës, për të kënduar si një ansambël i vërtetë këngë arbëreshe.

Italia i ka njohur zyrtarisht si minoritet arbëreshët vetëm në vitin 1999, megjithatë, arbëreshët e kanë ruajtur përherë kulturën dhe traditën e tyre. Ata ndjehen në Kalabri si shqiptarë, pavarësisht gjashtë shekujve që i kanë ndarë nga trungu amë. Kjo është dëshmia e një historie të fortë dashurie dhe lidhjeje gjaku, e cila, që të vijojë të ruhet ka nevojë edhe nga qeveritë e të dy vendeve, asaj italiane dhe asaj shqiptare. Nëse ndokush pyet se cili do të jetë fati i kulturës arbëreshe në të ardhmen, bën mirë së pari të pyesë, se sa do të ndihmojë shteti amë në ruajtjen e kësaj kulture. /Përgatiti: Blerina Goce/

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy