
Partia Demokratike ka përmbyllur procesin zgjedhor në strukturat e saj, duke prezantuar kupolën e re drejtuese.
I ftuar në emisionin "MCN Live", ish-deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, e cilësoi ekipin e ri si një "kryesi të të bindurve", duke argumentuar se kryetari i partisë, Sali Berisha, ka zgjedhur një ekip pa përplasje të brendshme.
Sipas tij, nëse kriteri kryesor ka qenë besnikëria ndaj lidershipit, atëherë nuk bëhet fjalë për një risi në Partinë Demokratike.
Do ta vlerësoja si një element shumë të guximshëm të z. Berisha faktin që më shumë se gjysma e anëtarëve janë njerëz të rinj. Nuk jam kundër, përkundrazi, jam pro.
Por lind pyetja: cilat kanë qenë kriteret e përzgjedhjes? A është karriera politike, profili publik, apo besnikëria dhe lojaliteti ndaj qëndrimeve zyrtare të partisë?.
Nëse kriteri kryesor ka qenë besnikëria ndaj lidershipit, atëherë nuk bëhet fjalë për një risi në Partinë Demokratike.
Nëse kriteri është ky i fundit, nuk kemi asgjë të re. Mbështetësit e PD-së votojnë Sali Berishën. Do të ishte ndryshe nëse këta individë do të sillnin vota shtesë apo do të kishin një profil publik që do të zgjeronte elektoratin.
Por, nëse shohim rekordin e tyre publik, nuk gjen pothuajse asnjë prej tyre që të ketë shprehur qoftë edhe një mendim autonom apo një nuancë kritike ndaj linjës zyrtare të partisë.
Çollaku e përkufizoi kupolën e re si "kryesia e të bindurve", duke shtuar se bëhet fjalë për njerëz që, sipas tij, do të administrojnë kapitalin elektoral që prodhon Sali Berisha.
Kjo është një zgjedhje strategjike që Berisha e ka bërë. Anëtarët e PD-së e kanë mbështetur dhe e duan si kryetar, ndaj është e drejta e tij të ndërtojë ekipin që dëshiron.
Mendoj se, i lodhur nga konfliktet dhe përplasjet e brendshme, Berisha ka zgjedhur një kryesi absolutisht të qetë dhe pa kundërshti.



