Kryetari i lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha partive opozitar për reformimin e Kodit Zgjedhor.
I ftuar në studion e MCN Live, Lapaj tha se çdo përpjekje tjetër për ndryshim në vend mbetet thjesht një "ëndërr" nëse nuk zgjidhet fillimisht problemi në nivel sistemi.
Gjatë fjalës së tij, Lapaj theksoi se thelbi i të gjithë aksionit opozitar duhet të jetë rregullorja e re e zgjedhjeve, e cila do t'u kthejë pushtetin qytetarëve dhe do të lejojë meritokracinë në politikë.
Ajo që ne duam është reforma e Kodit Zgjedhor dhe dakordësimi i të gjithë opozitës për një draft të kodit, thelbi është kodi zgjedhor. Ne kemi kaq kohë që po luftojmë për këtë pikë. Nëse nuk e zgjidhim në nivel sistemi, të gjitha këto janë ëndrra.
Ndryshimi i vendit do të vijë kur Kodi Zgjedhor të lejojë që haku të vijë tek i zoti në politikë. Duhet që të dakordojmë që t'i lëmë tek dera pushtetit draft-propozimin tonë për Kodin Zgjedhor dhe të kandidojmë për një republikë demokratike. Ne e kemi shprehur dhe e kemi treguar me vepra.
Edhe pse sipas tij, ekziston mundësia që mazhoranca të mos e miratojë draftin e propozuar, partitë opozitare duhet që të bëjnë pjesën e tyre.
Qytetarët kanë kërkuar që të bëhet Kodi Zgjedhor dhe unë po them nuk mund të rri pa folur për këtë. PD duhet që të bindet dhe t'i thërrasë mendjes. Do thuash ti që 'Rama nuk e miraton'? Po të bëjmë ne pjesën tonë njëherë.
Po, ne do të uleshim për të formuluar draftin. Ne nuk jemi armiq. Ne për të formuluar Kodin Zgjedhor jemi të gatshëm që të ulemi me këdo në opozitë, për të folur për Kodin Zgjedhor dhe për ta reformuar atë.



