
Një 21-vjeçar ra në prangat e policisë pasi aksidentoi për vdekje një këmbësor ende të paidentifikuar, në autostradën Laç-Mamurras. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 23:10.

Në njoftimin e policisë thuhet se: “Automjeti me drejtues shtetasin E. B., ka përplasur një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar. Si pasojë e përplasjes, këmbësori rreth 60 vjeç, ka ndërruar jetë. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 21 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Vijon puna për identifikimin e shtetasit që humbi jetën si pasojë e përplasjes nga automjeti që drejtohej nga shtetasi E.B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.



