
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet mbi vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu, ngjarje e ndodhur pak muaj më parë. Hetimet kanë nxjerrë një detaj tjetër tronditës të ngjarjes. Sipas provave që ka grumbulluar organi i akuzës, para vrasjes, vogëlushi është përdhunuar nga Klodian Çalamani, autori i ngjarjes, që u arrestua vetëm disa orë më vonë.
Ngjarja ndodhi në nëntor në vitit të kaluar në fshatin Grecalli. Ishin fillimisht familjarët e Mateos ata që denoncuan në polici zhdukjen e djalit të tyre. Pas kallëzimit, uniformat blu nisën kërkimet dhe gjetën fillimisht biçikletën e vogëlushit pranë shtëpisë së Klodian Çalamanit, 38 vjeç, person problematik për lagjen ku banonte familja Vasiu.
Gjatë kontrollit të banesës, policia zbuloi trupin e pajetë të fëmijës, i varrosur në një gropë pranë shtëpisë së Çalamanit. Ky u fundit u vu në pranga.
Fillimisht ai deklaroi para uniformave blu se i mituri e kishte sharë ndaj e kishte goditur me lopatë në kokë dhe trup duke e lënë të vdekur në vend. Vrasjen e të miturit e ka kryer në oborr pranë portës kryesore e më pas e ka zhvendosur trupin në brendësi për ta mbuluar.
Në analizën e provave të grumbulluara, prokuroria ka konkluduar fillimisht, Çalamani e ka dhunuar seksualisht fëmijën. Më pas ka kryer vrasjen me sende të forta, kazmë dhe lopatë.
Në pritje të përfundimit të hetimeve, pas masës së sigurisë “arrest me burg”, Klodian Çalamani u dërgua në burgun e Vlorës.
Seanca gjatë së cilës u dha masa e sigurisë ndaj tij u shoqërua me tensione jashtë sallës. Një numër i madh qytetarësh u mblodhën rreth gjykatës, madje një pjesë e tyre thyen derën e aluminit dhe u futën brenda ambienteve të institucionit.
Tashmë, përveç akuzës për vrasje në rrethana cilësuese, Klodian Çalamani do të përgjigjet përpara drejtësisë edhe për akuzën e marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë.



