
Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie tha në studion e emisionit “MCN Informacion” se arsyeja e parë pse ka rënë lindshmëria në Shqipëria është stili i jetesës, pasi tashmë kemi një grua që kërkon të fuqizohet, arsimohet dhe të jetë pjesë e tregut të punës.
Sipas Radonshiqit, çiftet e reja nuk kanë stabilitet financiare dhe për këtë arsye ata shtyjnë bërjen e një fëmije.
Së pari është stili i jetesës, kemi një grua që kërkon të fuqizohet, të arsimohet dhe më pas të jetë pjesë e tregut të punës. Të rinjtë në momentin që nuk kanë stabilitet financiar, bashkëjetojnë dhe shtyjnë planifikimin për të bërë një fëmijë. Një nga arsyet kryesore se pse martesat janë në ulje dhe divorcet në rritje janë dhe kushtet financiare. Kemi çmime apartamentesh dhe qirash tepër të larta. Strehimi është nevoja bazë për një çift dhe kur kjo kushton, atëherë duhet të planifikosh.
Sipas Radonshiqit, bonusi i bebes nuk është i mjaftueshëm për të ndihmuar dhe për të shtyrë të rinjtë për të bërë një fëmijë, pasi është vetëm një dhuratë.
Bonusi është një dhuratë dhe nuk është i mjaftueshëm. Qeverisja vendore është munduar të ketë ndikime pozitive me kredi të buta për familjet e reja por dhe kjo është e pamjaftueshme.
Nga ana tjetër ndryshimi i stilit të jetesës dhe problemet e tregut të punës ndikojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve vendosin të lindin fëmijë pas të 30. Nuk ke të njëjtat energji sikur je në moshën 25 vjeç.



