Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka bërë të ditur se sot numri i të infektuarve është 77, gati sa gjysma e ditës së martë kur shifrat kapën rekordin 141. Në 24 orët e fundit në total janë kryer 437 testime, nga të cilët 77 rezultuan pozitivë.
Që prej fillimit të pandemisë dhe deri më sot, në Kosovë janë bërë gjithsej 19 749 testime për koronavirus, teksa kanë rezultuar pozitivë 1 833 persona. Ndërkohë, numri i rasteve, të cilët kanë ndërruar jetë, është 34.
Qytetet më problematike të ditës së fundit kanë qenë Prishtina me 21 raste, Gjilani 9 raste, Mitrovica 8 raste, Podujeva 7, Gjilani 5 dhe me radhë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë më tej bën thirrje për zbatimin e masave të koronavirusit, pasi ai ende nuk është zhdukur. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë ditët e fundit ka patur një rritje masive të rasteve të reja me koronavirus, që kanë ardhur si pasojë e hapjes së vendeve dhe mosrespektimit të rregullave.



