
Shumë prej amfibëve në botë po përballen me një kërcënim ekzistencial. Një sëmundje e shkaktuar nga një kërpudhë (infeksion mykotik) po shfaros popullsi të tëra amfibësh. Bëhet fjalë për kërpudhën Batrachochytrium dendobatidis, e cila ka çuar drejt zhdukjes 200 specie amfibësh, duke ndryshuar rrënjësish ekosistemin në Tokë.
Mat Fisher, ekspert në Imperial College London, thotë se bëhet fjalë për patogjenin më të rrezikshëm në historinë e botës, kur është fjala për ndikimin që ka në biodiversitet.
Por në lidhje me këtë patogjen ka edhe një tjetër fakt të habitshëm. Një ekip prej 58 studiuesish nga vende të ndryshme të botës kanë përpiluar një studim mbi origjinën e tij. Në studimin e publikuar këtë javë në revistën “Science”, thuhet se ky patogjen mund të jetë përhapur për herë të parë nga Gadishulli Korean, diku në vitet ’50, pikërisht në kohën e luftës.
Sipas studiuesve, prej andej aktivitetet njerëzore jo qëllimisht kanë ndikuar në përhapjen e gjerë të këtij patogjeni që ka çuar më pas në humbjen e amfibëve në Amerikë, Afrikë, Europë dhe Australi.
Ky lloj infeksioni mykotik kthehet në vdekjeprurës për amfibët, pasi prek lëkurën e tyre, sipërfaqe poroze që këto lloj kafshësh e përdorin për frymëmarrje dhe hidratim.
Pasi infektohen, amfibët hyjnë në një spirale letargjie që brenda një jave përfundon me ndalimin e funksionit të zemrës.
Në zonat e lagështa, ku numri i amfibëve është i madh, studiuesit e krahasojnë efektin e sëmundjes me atë të murtajës biblike.
Për shumë vite me radhë, ata nuk kanë ditur t’i japin një shpjegim shkencor këtij fenomeni. Pas eksperimenteve dhe analizimit të kampionëve të marrë nga Gadishulli Korean, ata arritën në përfundimin se aty ishte shfaqur sëmundja për herë të parë. Studiuesit shpjegojnë se deri në atë kohë, sëmundja ka bashkëjetuar në mënyrë paqësore me faunën lokale, por një mutacion ka bërë që të shfaqet një variant më agresiv i saj.
Sipas studiuesve, amfibë të infektuar mund të jenë shpëndarë në të gjithë botën nëpërmjet anijeve, industrisë së ushqimit dhe tregtisë së amfibëve si kafshë shtëpiake apo eventeve të mëdha historike si Lufta Koreane. Në kulmin e konfliktit, miliona ushtarë dhe pajisje ushtarake hynë dhe dolën nga ky rajon, duke u dhënë kështu amfibëve të infektuar mundësi të shpërndahen në vende të tjera. / National Geographic /



