Ka ndërruar sot jetë në moshën 86-vjeçare ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi. Berluconi ndodhej i shtruar në spitalin San Raffaele në Milano dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm në orët e fundit. Mëngjesin e sotëm në spital kanë mbërritur me urgjencë vajza e tij Marina dhe vëllai i tij Paolo. Lideri i Forza Italia kishte vetëm disa javë që kishte lënë ambientet e spitalit pas një shtrimi të gjatë për 45 ditë. 86-vjeçari ishte diagnostikuar me leuçemi dhe ishte shtruar në spital në muajin prill pas problemeve me frymëmarrjen. Një manjat i diskutueshëm mediatik, Berlusconi ka shërbyer tre mandate si kryeministër i Italisë, së fundmi midis 2008 dhe 2011. Ai mund të konsiderohet padyshim si një prej politikanëve më dominant të skenës politike italiane të dekadave të fundit, pavarësisht një karriere të njollosur nga skandalet seksuale, akuzat e panumërta për korrupsion dhe një dënim për mashtrim tatimor. I lindur në Milano në vitin 1936 në një familje të klasës së mesme, Berlusconi filloi karrierën e tij të biznesit në zhvillimin e pronave përpara se të vazhdonte të themelonte "Mediaset"-in, transmetuesin më të madh komercial të Italisë. Ai gjithashtu zotëronte klubin e futbollit AC Milan nga viti 1986 deri në 2017-ën. Forza Italia u themelua në vitin 1993. Një vit më vonë, Berlusconi ishte kryeministri i parë që u zgjodh pa pasur një post qeveritar. Ai do të merrte mandatin e dytë si shef i ezkekutivit në vitin 2001 deri në 2006-ën, duke qenë një nga kryeministrat më jetgjatë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai u kthye në pushtet në vitin 2008, por u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2011 mes një krize borxhi akut. Berlusconi u dënua për mashtrim fiskal në fund të vitit 2012, për të cilin ai kreu dënimin e tij njëvjeçar me shërbime komuntare me kohë të pjesshme në një shtëpi rezidenciale në Milano. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018, Forza Italia konkurroi në koalicion me Lega Nord dhe Vëllezërit e Italisë, por nuk arriti 40% të kërkuar mandatin qeverisës. Në vitin 2019, Berlusconi fitoi një vend në Parlamentin Evropian dhe në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2022 partia e tij u kthye në pushtet në një koalicion të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë së Giorgia Melonit. Berlusconi u zgjodh gjithashtu si senator. I cilësuar ndryshe si “Il Cavaliere” Berlusconi shpesh konsiderohej si "kingmaker-i" i politikës italiane. Në vitin 2016, ai iu nënshtrua një operacioni për të zëvendësuar një valvul të dëmtuar të aortës dhe u shtrua në spital me Covid në shtator 2020. Ai pati komplikime të vazhdueshme në lidhje me virusin, në një përvojë që ai e konsideroi si ekperiencën më të keqe të jetës së tij.



