
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha institucioneve shqiptare të përfshira që konflikti i interpretimit mbi përbërjen e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhet sa më shpejt dhe të qartësohet kjo çështje.
Reagimi erdhi përmes zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, e cila i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kocijançiç tha se zgiidhja e kësaj çështjeje është thelbësore për popullin shqiptar dhe për efektivitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, si edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE.
"U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shqiptare të përfshira që ky konflikt interpretimi të zgjidhet sa më shpejt dhe të jepet qartësi mbi përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Është thelbësore për popullin shqiptar dhe për efektivitetin e shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe është gjithashtu thelbësore që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit në BE", u shpreh Koçijancic.



