Aktivisti Andi Kurti, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, komentoi protestën që po zhvillohet për të 30-ën ditë radhazi para Kryeministrisë, ku kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Kurti tha se ulja e pjesëmarrjes është një zhvillim i natyrshëm pas një muaji protestash të pandërprera, duke theksuar se qëndrueshmëria e protestës është arritja më e rëndësishme deri më tani.
Besoj se është diçka totalisht e natyrshme, sepse tashmë janë mbushur tridhjetë ditë protestë. Është protesta e parë me një vazhdimësi, intensitet dhe dinamikë të tillë. Edhe personalisht, ndonjëherë është pothuajse e pamundur të shkosh çdo ditë në protestë. Personat që e kanë ndjekur protestën që nga dita e parë kanë lënë mënjanë hallet, shqetësimet, punët e tyre praktike, madje ndoshta edhe çështje shëndetësore. Kështu që është e natyrshme të ketë një ulje të pjesëmarrjes deri diku.
Sipas tij, megjithëse numri i protestuesve ka pësuar një rënie, ajo nuk ka qenë në përmasat që pritej, ndërsa ndikim kanë pasur edhe temperaturat e larta dhe zhvillimi i Kampionatit Botëror.
Unë e kam parë këtë si diçka pozitive, sepse ulja nuk ka qenë në atë masë që pritej, si nga pushteti, ashtu edhe nga vetë protestuesit. Kjo edhe për shkak të Kampionatit Botëror, por edhe të kushteve atmosferike, pasi vapën e madhe po e përjeton një pjesë e mirë e Evropës. Megjithatë, njerëzit vazhdojnë të gjejnë vullnetin dhe guximin për të ardhur sërish në shesh. Protesta po vazhdon për ditën e tridhjetë dhe besoj se do të vazhdojë edhe në ditët e para të korrikut. Prandaj nuk e shoh si diçka negative; është krejtësisht normale.
Kurti nënvizoi se protesta ka ruajtur një pjesëmarrje të konsiderueshme dhe ka bashkuar qytetarë të të gjitha moshave.
Çdo ditë shohim njerëz me fëmijë, familjarë, të moshuar, përveç rinisë dhe brezave të tjerë. Çdo protestë në botë nuk mund ta ruajë të njëjtin numër pjesëmarrësish si në kulmin e saj, siç ishte rasti kur erdhi diaspora dhe sheshi ishte pothuajse i mbushur deri në Sheshin Skënderbej. Por numrat, sipas meje, janë ende mjaft të kënaqshëm.
Në përfundim, ai theksoi se vlera kryesore e protestës qëndron te mesazhi politik që, sipas tij, po u dërgohet institucioneve.
Kemi nisur një qasje shumë të vendosur për të dalë çdo ditë aty, për t'i treguar jo vetëm kryeministrit, por edhe establishmentit, se këtu ka një popullsi të pakënaqur që kërkon jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si bëhet politika në Shqipëri dhe se si jepet llogari përpara publikut. Besoj se kjo është arritja më e rëndësishme e protestës deri tani.



