
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po qëndron sot në Kosovë. Meta, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve në kazermën e FSK-së,”Adem Jashari”, në Prishtinë, ku bëri edhe dekorimin e njësiteve të kërkim-shpëtimit që u realizua në Shqipëri pas tërmetit të fuqishëm . Meta tha se 28 nëntori gjeti të bashkuar të gjithë shqiptarët, për t’u përballur me pasojat katastrofike të tërmetit.
“Në këtë betejë të vërtetë, kemi bilanc të rëndë por Shqipëria nuk mbeti vet, parterët tanë na u gjetën pranë, por Kosova, ishte e para që u ndodh atje menjëherë. Ekipet e Kosovës nuk ishin vetëm fizikisht por edhe njerëzisht, që shpëtuan shumë jetë”, tha ai.
“Populli shqiptarë do t’i jetë gjithnjë mirënjohës të gjithëve që erdhën në Shqipëri, FSK-së, njësitë policore, njësitë e tjera nga institucionet si KEK-u, Zjarrfikësit e Komunës së Suharekës, Miniera e Trepçës dhe Artanës. Kosova duhet të jetë krenare për Forca e Sigurisë së saj, Kosova ka zemër bujare”, u shpreh Meta në fjalën e tij.
Presidenti Meta me këtë rast, si shenjë falënderimi për ndihmën dhe mobilizimin ndaj shqiptarëve të prekur nga tërmeti i së martës, ka ndarë edhe dekorata. Duke falënderuar edhe njësitë nga institucionet e tjera si KEK, Zjarrfikësit e Komunës se Suharekës, Miniera e Trepçës dhe Artanës, të cilëve u ndau dekorata.
E, presidenti shqiptar nuk harroj ta falenderoi edhe qenin hero të FSK-së, i cili shpëtoi jetë pas tërmetit.
Por, këtë Meta e bëri me një gjest mjaftë të veçantë,duke u përkulur dhe e puthur në ballë qenin hero.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kujtojmë se pas goditjes së tërmetit që la 51 viktima në Shqipëri, Kosova është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Po ashtu, mijëra kosovarë janë angazhuar për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.Qeveria e Kosovës, përpos ndihmës prej 500 mijë eurosh, ka hapur edhe kampin në Prizren ku aktualisht janë të strehuar më shumë se 500 persona.



