
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka thotë se opozita ka një koalicion funksional dhe se janë disa parti që kanë peshë prej 30 vitesh, por Partia Demokratike tashmë e ka kristalizuar një koalicion të tillë, ka kandidatë potencial gjithandej.
Nga studio e MCN Live, ai foli mbi arsyen se pse nuk është në listën e kandidatëve, duke deklaruar se ka qenë prezent jo me pikësynimin që të futet në parlament, por që PDK të jetë parlamentare.
E zgjodha një gjë të tillë se unë kam qenë pesë herë deputet. Kam qenë më i interesuar të jem prezent nëpërmjet medias se sa në parlament.
Jam përpjekur që Partia Demokristiane të jetë aty ku e meriton. Obligimi i çdo partie të koalicionit është të mbështesin çdo kandidat në të gjitha qarqet.
PDK do të jetë parti parlamentare. Unë i kam kaluar sfidat e mia, jam zgjedhur dy herë në mazhoritar në Shkodër, jam zgjedhur dhe në sistem proporcional.
Kam qenë gjithmonë në qarkun e Shkodrës. Jam në politikë, kam zgjedhur një lloj mënyre për të bërë politikë.
Edhe ata politikanë që sot janë brenda listave të PD, edhe nëse i marrim emër për emër kanë kontributet e veta.



