
Gazetari Mentor Kikia komentoi në MCN Live fushatën e zgjedhjeve të 14 majit, duke theksuar se nga rezultatet do varet fatet politike të dy kampeve. Kikia tha se zgjedhjet do përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, prandaj palët janë kaq agresive dhe të investuara. Kikia i sheh shanset për fitoren në Tiranë 50 me 50 për të dy kandidatët, ndërsa vë në dukje se mazhoranca i ka gjasat edhe për ta marrë Shkodrën, që konsiderohet ‘kalaja’ e fundit e demokratëve. Sipas gazetarit gara më e fortë po zhvillohet në Durrës, ku gara është edhe më e fortë se Tirana dhe Shkodra, pasi është “kështjella ekonomike” e vendit.
Fushata ka qenë në të dyja dimensionet politik dhe lokal. Përtej faktit që të gjithë kemi këmbëngulur që fushata për zgjedhjet vendore s’ka pse të sundohet nga politizimi i skajshëm sepse përtej dozës politike që ka çdo proces zgjedhor, dhe nuk i shmangemi dot, në këto zgjedhje dimensioni politik ka qenë më i fortë. Ka arsye pse ka ndodhur kjo gjë. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm politikisht për mazhorancën dhe po kaq shumë i rëndësishëm politikisht për opozitën. Mazhoranca në nivel qendror po konsumon mandatin e tretë, në nivel lokal është duke konsumuar një mandat masiv njëngjyrësh që iu dhurua pasi opozita braktisi zgjedhjet vendore.
Nga rezultati në këtë proces zgjedhor varen fatet politike të dy kampeve politike. Nëse mazhoranca socialiste do humbasë në atë nivel ku zgjedhjet vendore mund të konsiderohen të humbura, ky është paralajmërimi i qartë se qytetarët janë duke u përgatitur për ta rrëzuar PS-në nga pushteti në zgjedhjet e 2025-ës. Ndaj edhe këmbëngulja e socialistëve për të mbajtur pushtetin vendor mendoj se është më shumë për të siguruar vazhdimësi të qeverisjes në nivel qendror.
Nëse opozita do të fitojë zgjedhjet vendore, ky është sinjali i një rioroganizimi, i një rizgjimi të saj, përmbylljes së betejës së brendshme. Nëse opozita, flas për pjesën e drejtuar Berisha dhe Meta do fitojnë mjaftueshëm bashki dhe qendrat e rëndësishme administrative të vendit, ky është sinjali se në zgjedhjet e përgjithshme ky grupim politik përgatitet për t’u rikthyer në pushtet. Fushata nga lidershipi politik është përqendruar pothuajse 100 për qind në motive politike. Janë rrethanat e kohës që lidershipin e ka çuar drejt politizimit të skajshëm të këtyre zgjedhjeve”.
Ndërsa komentoi SMS-të e dërguara nga kandidati Belind Këlliçi, Kikia tha se nuk mendon që kemi të bëjmë me përdorim të të dhënave personale.
Jam dakord me idenë që këto s’jam përdorim i të dhënave personale. Mesazhi nuk erdhi nominalisht ‘i nderuar z.Kikia’. Ai nuk e dinte se me kë po fliste. Është fiks metodologjia që përdorin dysheqet, që më marrin rregullisht njëherë në dy tre ditë. Këto numra mund të jenë paketë dhe janë si ato mesazhet e Vitit të Ri. A prodhon ky mesazh votë apo jo, a është qasja e duhur? Mendoj që s’është mënyra e duhur pasi ka të tjera metoda. Njerëzit janë në kontakt me informacionin. Nuk mendoj që futet te cenimi i lirive dhe të dhënave personale. Nuk besoj se shqetësimi i ngritur nga komisioneri është real”.
Duke komentuar garën në 4 bashkitë kryesore, gazetari thotë:
Janë 4 bashki që kanë marrë më shumë vëmendjen, Shkodra, Durrësi, Tirana dhe Elbasani. Shkodra është bashkia që s’është ‘pushtuar’ asnjëherë nga socialistët dhe konsiderohet më shumë një sfidë politike, një lloj fitore morale. Socialistët janë investuar maksimalisht në Shkodër, me një kandidat jo shumë politik, por shumë influent në Shkodër. Prej kohësh vendosi krevatin dhe dhomën e gjumit një nga punëtoret më të zellshme politike në PS, Elisa Spiropali. Ishte një merkato politike duke shkëputur nga kampi opozitar një deputet që ka qenë shtylla e PL në qarkun e Shkodrës. Një bashkëpunim jo zyrtar por gjithmonë i frytshëm me partinë e Tom Doshit. Gjasat për ta marrë kalanë e fundit të demokratëve janë në Shkodër. Është fenomen por s’e di sa mund të prodhojë vota Luizi. Nëse do ndikojë Luizi për të devijuar rezultatin e zgjedhjeve dreqi e hëngërt me gjithë zgjedhje dhe demokraci këtë tonën! Tirana është lënë politikisht në duart e Veliajt, pasi është mjaftueshëm i zoti për ta mbajtur këtë peshë.
Tirana është një nga bashkitë ku gara është reale dhe serioze. Nga aktiviteti që kandidatët dhe stafet kanë në bazë. Bast nuk vihet në politikë. Sondazheve s’kam qenë i prirur t’u besoj. I shikoj shanset 50 me 50 me të dy kandidatët. Vjen një kohë kur pushteti të ezauron. Veliaj vazhdon të jetë një nga karizmatikët tipik në politikën shqiptare, di të ndërtojë shitjen e ofertës së tij. Sepse politika 50 për qind është projekt dhe 50 për qind marketing i projekteve. Veliajn e shoh si njeriun që ka çfarë të shesë për atë që ka bërë. Përtej kritikave ka një listë gjërash që mund t’i marketojë. Këlliçi ka dy elementë ku mbështet shpresën për fitore, ezaurimi që pushteti i ka bërë Veliajt dhe projektet e tij, ofertat e reja. Këlliçi ka lënë jashtë fushatës së tij Berishën dhe Metën. Kelliçi s’kishte pse të shkonte te qytetarët me kostot e Berishës dhe Metës. Kjo ka ndodhur edhe në Durrës dhe Elbasan. Te opozita ka ndarje të qartë të pjesës politike dhe administrative. Në Elbasan implementohet votimi dhe numërimi elektronik, që nëse rezulton me sukses, do shënojë një etapë të re, atë të përmbylljes, të daljes së rezultatit menjëherë pas votimit. Edhe në Elbasan ka një garë reale ku opozita synon të marrë drejtimin e bashkisë pas 5 mandateve radhë të socialistëve.
Në Durrës po zhvillohet gara më e fortë edhe më e fortë se Tirana dhe Shkodra. Durrësi është kështjellë ekonomike, ku janë të përqendruara projekte të mëdha. Në fushatën për Durrësin kryeministri është investuar personalisht si në asnjë bashki tjetër. Durrësin po kërkojnë ta mbajnë me sforco. Opozita ka një kandidat për herë të parë nga vlerësimet që vijnë, një kandidat potencial që mund ta marr bashkinë. Të dyja palët janë në momente shumë të rëndësishme të historisë së tyre politike. Mazhoranca është në mandatin e tretë dhe shumë e vendosur për të marrë të katërtin. Opozita është në pikën zero, e shpartalluar, një që mban vulën dhe një tjetër më e madhe në numër që s’ka as vulë, as adresë, e futur nën sqetullën e PL, që s’e di peshën elektorale. Të gjitha palët kanë nevojë të rikonfirmojnë veten, ku janë në marrëdhëniet me votuesit. Këto zgjedhje do përcaktojnë fituesin e 2025-ës, prandaj palët duken kaq agresive dhe të investuara”.



