Mësimi në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme kalon në skenarin 2.
Ministria e Shëndetësisë i propozon Ministrisë së Arsimit që duke filluar nga 1 dhjetori, mësimi në sistemin parauniversitar të alternohet, gjysmë fizik e gjysmë online.
Një vendim i tillë është marrë me dakordësinë e Komitetit të Ekspertëve.
"Ashtu siç e kemi përsëritur në këto javë, për ne shëndeti është i pari dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë, shëndeti dhe siguria e tyre, janë prioritet absolut. Deri tani, siç ekspertët analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2. Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra. Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur t’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin në distancë (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore", tha Manastirliu.
Në fillim të këtij viti shkollor, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) publikoi udhëzuesin e plotë për fillimin e vitit të ri shkollor.
Skenari 1, në bazë të të cilit ka funksionuar deri tani procesi mësimor parashikonte zhvillimin e mësimit në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.
Skenari 2, i cili nis zbatimin nga 1 dhjetori parashikon që mësimi të zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.
Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së Covid-19, skenari i tretë parashikon që mësimi të zhvillohet vetëm në distancë.



