Opozita propozon uljen e shpenzimeve për fushatën dhe financimin e partive politike nga buxheti i shtetit. Gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi, tha se “zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale që më pas subjektet blejnë shtetin dhe kthehemi në oligarki”.
Bylykbashi shtoi se shitblerja e votës duhet të futet në kategorinë e veprave të rënda penale.
Pjesë nga fjala e Bylykbashit
Na shtrohet përpara një dokument, i cili do të jetë shtylla kurrizore e punës tonë. Një gjë duhet të jetë e padiskutueshme; shqetësimet themelore për zgjedhjet duhet të trajtohen me dinjitet. Çështja e zgjedhjeve është primare. Diskutime të llojit se kush është mandati i këtij komisioni, janë justifikime, të cilat bëhen për të shmangur zgjidhjen e çështjeve reale që kanë zgjedhjet.
Ky dokument duhet të shikohet në mënyrë të kujdesshme për të përcaktuar se kush janë çështjet që duhet të diskutohen pa diskutim! Këto çështje janë: numërimi elektronik, identifikimi biometrik në mënyrë integrale që të shmanget marrja e kartave të zgjedhësve, që nuk është blerje vote apo anulim i të drejtës së votës. Korruptimi i komisionerëve. Financimi publik që kemi ngritur është i domosdoshëm. Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale që më pas subjektet blejnë shtetin dhe kthehemi në oligarki.
Duhet të reduktojmë shpenzimet në mënyrë që buxheti i shtetit të financojë partitë në mënyrë të shëndetshme. Shitblerja e votës duhet të kthehet në vepër penale e rëndë. Strukturat e reja për të goditur korrupsionin duhen ta kenë prioritet këtë çështje. Të gjitha çështjet që propozon opozita janë të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-t. Për ndryshe, zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk ka.



