Google është zotuar të përdorë energji 'pa karbon', pa emetime karboni, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, deri në vitin 2030. Kwshtu njoftoi CEO i kompanisë, Sundar Pichai, në një post zyrtar. "Javën e kaluar shumë prej nesh u zgjuan nga një qiell portokalli në Kaliforninë Veriore për shkak të zjarreve të vazhdueshme. Shkenca është e qartë, bota duhet të marrë masa tani për të shmangur pasojat më të këqija të ndryshimit të klimës", shton Pichai. Angazhimi mjedisor i Google do të gjenerojë mbi 20,000 vende të reja pune për energji të pastër dhe sektorë të lidhur, në SHBA dhe në botë, deri në vitin 2025.
"Që nga viti 2017 ne kemi bërë që konsumi ynë i përgjithshëm i energjisë elektrike të përkojë me 100% të energjisë së rinovueshme. Tani duam të shkojmë më tej: deri në vitin 2030 ne synojmë të veprojmë me energji pa karbon kudo, në çdo kohë - shton CEO i Google - Hapi i parë do të jetë përdorimi i energjisë 'pa karbon' 24/7 në të gjitha qendrat tona të të dhënave dhe kampuset nëpër botë. Kjo do të thotë që çdo email i dërguar Gmail, çdo pyetje që i drejtohet Motorit të Kërkimit, çdo video parë në YouTube dhe çdo kërkim në Maps për të gjetur rrugën më të mirë do të përdorë energji të pastër në çdo kohë të çdo dite ".
Google është e angazhuar gjithashtu për të investuar në teknologji që ndihmojnë partnerët dhe qytetet të bëjnë zgjedhje të qëndrueshme. "Për shembull - shpjegon ai - ne jemi duke investuar në zona industriale për të bërë në dispozicion 5 gigavat energji të re pa emetime karboni, për të ndihmuar 500 qytete të ulin emetimet e tyre të karbonit dhe për të gjetur mënyra të reja për të ndihmuar 1 miliard njerëz përmes produkteve tona.".
Në korrik, Apple njoftoi gjithashtu pikën e kthimit të saj "të gjelbër", duke u zotuar përsëri, deri në vitin 2030, të bëhet plotësisht "pa karbon" në të gjitha aktivitetet e saj në zinxhirin e furnizimit të prodhimit dhe në ciklin jetësor të produktit.



