Ndër vite Qeveria Rama ka ndryshuar disa herë, ndërsa Ministria që duket sikur ha kokat e atyre që drejtojnë është ajo e Brendshmja. Vetëm Saimir Tahiri mundi të mbyllë një mandat të plotë, e prej atij momenti janë ndërruar 8 ministra në dikasterin e sigurisë dhe rendit.
Eprori i kryepolicit, Ministri i Brendshëm, thuajse ka ndryshuar po aq herë sa ka ndryshuar edhe kryepolici.
Mazhoranca socialiste do të vinte në pushtet duke emëruar ministër të Brendshëm z. Saimir Tahiri. Beteja e tij e parë, sa politike aq edhe për rend e siguri, ishte dekanabizimi i vendit.
Përballja e shtetit nisi me Lazarat për të përfunduar në Malësia e Shkodrës. Ndërsa ai nuk është më ministër i Brendshëm, përballja me drejtësinë e dërgoi në burg.
Kanabisi, në mandatin e katërt të qeverisë Rama, vijon të kultivohet në vend, ndërsa nuk mungoi edhe anketimi kombëtar për legalizimin e tij për qëllime mjekësore.
Pas z. Tahiri, dikasteri iu besua Fatmir Xhafaj, i cili në një betejë politike për mos ekstradimin e vëllait të tij dha dorëheqjen.
Lista e ministrave më pas u pasua nga një teknik, pasi Rama vendosi të bashkëqeverisë me Lulzim Basha, ish-kreun e PD, për disa muaj. Kështu në krye të ministrisë u vendos Dritan Demiraj.
Nuk mungoi as katapultimi i një ish-ushtaraku si Sandër Lleshaj në krye të Ministrisë së Brendshme. Ai u përball me protesta masive pasi policët, në drejtimin e tij, ekzekutuan pa shkak të ndjerin Klodian Rasha. Protestat shkaktuan kosto politike deri sa detyruan Edi Ramën ta largojë nga posti.
Përkohësisht ky post iu besua Bledar Çuçi, i cili po ashtu u largua nga detyra pas një skandali me serat e hashashit në zonën e Berat, ku ai ishte edhe drejtues qarku, transmeton emisioni “FactCheck” në MCN TV.
Politikisht figura më e lartë nga Partia Socialiste në këtë dikaster ishte z. Taulant Balla, i cili pasi refuzoi t’i hapë dyert për ndikim dhe lobime emërimesh biznesmenit në arrati Egys Agasi, u largua nga Rama.
Pas Ballës, posti iu besua Ervin Hoxha, sot deputet i qarkut të Tirana. Ndërsa për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, ministre e Brendshme u emërua edhe një grua.
Ajo ishte Albana Koçiu, sot numri dy i qeverisë shqiptare. Me largimin e saj, të enjten më 5 mars 2026, posti i kaloi Besfort Lamallari, dikur ish-numri dy i Ministrisë së Brendshme.
Ministri që ka qëndruar më gjatë në detyrë është Saimir Tahiri, i cili drejtoi Ministrinë e Brendshme për rreth 4 vite (2013–2017). Mandati i tij u karakterizua nga aksionet kundër kultivimit të kanabisit, veçanërisht operacionet policore në Lazarat dhe zona të tjera problematike.
Ministri që ka qëndruar më pak në detyrë është Dritan Demiraj, i cili shërbeu vetëm për një periudhë të shkurtër në vitin 2017 si ministër teknik gjatë marrëveshjes politike mes qeverisë dhe opozitës para zgjedhjeve parlamentare.
Mandati i Tahirit u fokusua te lufta kundër kanabisit dhe operacionet në Lazarat. Mandati i Sandër Lleshaj u shënua nga protestat pas vrasjes së Klodian Rashës. Ndërsa emërimi i Albana Koçiu përbën një moment historik, pasi për herë të parë një grua drejtoi Ministrinë e Brendshme në Shqipëri.



